Kulla "Canadian National" (CN) në Toronto, një nga ndërtesat më të larta në hemisferën perëndimore, është ndriçuar në kujtim të viktimave të sulmit ndaj xhamisë së Quebec City dhe në kuadër të Ditës Kombëtare të Përkujtimit dhe Veprimit Kundër Islamofobisë, raporton Anadolu.
Qeveria e Kanadasë ka shpallur 29 janarin si Ditën Kombëtare të Përkujtimit të Sulmit ndaj Xhamisë në Quebec dhe Veprimit Kundër Islamofobisë, në shenjë nderimi për jetët e humbura dhe si një angazhim për ta luftuar diskriminimin ndaj komunitetit mysliman.
Më 29 janar 2017, një sulm i armatosur ndodhi në xhaminë e qytetit të Quebecut, pranë Qendrës Kulturore Islame, ku besimtarët ishin mbledhur për lutjet e mbrëmjes.
Gjatë këtij sulmi tragjik, një person i armatosur hapi zjarr në sallën e lutjeve, duke vrarë gjashtë myslimanë dhe plagosur rëndë pesë të tjerë. Ky akt dhune la pasoja të rënda në komunitetin mysliman dhe nxiti reagime të gjera në gjithë vendin.