Liban, 9 të vrarë dhe 70 të plagosur nga sulmet ajrore izraelite         Foto: AA

Të paktën nëntë persona janë vrarë dhe 70 të tjerë janë plagosur nga sulmet ajrore izraelite në rrethin Tyre në jug të Libanit, ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë.

“Në sulmet ajrore izraelite në qytetin Maarakeh, në rrethin Tyre, janë vrarë katër persona dhe janë plagosur pesë të tjerë,” thuhet në njoftim.

Në një sulm në qytetin Qlaileh, është vrarë një person.

Agjencia Kombëtare e Lajmeve të Libanit (NNA) njoftoi se janë regjistruar përleshje të ashpra në periferi të Aalma El Chaeb pranë Shama-s dhe në qytetin Biyyadah në jug të Libanit.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi më vonë se edhe katër persona të tjerë janë vrarë dhe 39 janë plagosur në një sulm ajror izraelit mbi Maarakeh.

Gjithashtu, Ministria bëri të ditur se 26 persona janë plagosur në sulme izraelite në disa zona, përfshirë Jwayu, Debaal, Aabbassiyeh, Majdal Zoun dhe Bazouriye, në rrethin Tyre.

Izraeli ka nisur një operacion të gjerë ajror në Liban kundër, siç pretendon, objektivave të Hezbollahut, pas një lufte njëvjeçare ndërkufitare mes Izraelit dhe grupit libanez që shpërtheu pas ofensivës brutale izraelite në Rripin e Gazës.

Izraeli e ka zgjeruar konfliktin më 1 tetor të këtij viti duke nisur një sulm tokësor në jug të Libanit.

Më shumë se 3.550 njerëz janë vrarë dhe rreth 15.100 janë plagosur në sulmet izraelite që nga tetori i vitit të kaluar, sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore libaneze.

TRT Balkan / agjencitë