Libani ka paraqitur një ankesë zyrtare në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe te sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, për inkursionin e Izraelit në territorin libanez dhe shkeljen e vijës së kaltër që ndan të dy vendet.
Misioni i përhershëm i Libanit në OKB tha se ankesa dënon “agresionin e Izraelit kundër sovranitetit të Libanit dhe inkursionin e forcave izraelite brenda kufijve libanez” që nga nata e 1 tetorit.
Izraeli nisi një operacion tokësor në Libanin jugor, me zyrtarët që deklaruan se do të krijojë një zonë tampon të sigurisë që do të zgjasë disa javë. Më vonë, ushtria izraelite njoftoi vdekjen e ushtarit të saj të parë gjatë inkursionit tokësor.
Dje Hezbollahu raportoi zmbrapsjen e gjashtë përpjekjeve izraelite për infiltrim në Libanin jugor.
Misioni i Libanit në OKB tha se Izraeli shkeli vijën e kaltër të vitit 2000 dhe nënvlerësoi Rezolutën 1701 të Këshillit të Sigurimit që u miratua në muajin gusht të vitit 2006. Ajo kërkon një ndërprerje të plotë të armiqësive midis Libanit dhe Izraelit, si dhe krijimin e një zone midis vijës së kaltër dhe lumit Litani, pa grupe të armatosura me përjashtim të Forcave të Armatosura Libaneze dhe UNIFIL-së.
Ankesa libaneze theksoi se Izraeli ka grumbulluar forca ushtarake, tanke dhe automjete të blinduara përgjatë kufirit jugor të Libanit, duke vënë në shënjestër civilë, punonjës të ndihmës dhe gazetarë, derisa granatonte pa dallim qytete dhe fshatra me më shumë se 8.570 sulme.
Izraeli ka nisur sulme masive ajrore që nga 23 shtatori ndaj atyre që ai i quan objektiva të Hezbollahut në të gjithë Libanin që deri më tani kanë vrarë të paktën 1.100 njerëz.
Fushata ajrore ishte një përshkallëzim në konfliktin 1-vjeçar midis Izraelit dhe Hezbollahut që nga fillimi i ofensivës brutale të Tel Avivit ndaj Rripit të Gazës që ka vrarë të paktën 41.800 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë.
Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar se sulmet izraelite në Liban mund ta përshkallëzojnë konfliktin e Gazës në një luftë më të gjerë rajonale.