Lideri i Hamasit bisedon me Katarin, Egjiptin, Türkiyen për armëpushimin / Foto: Reuters

Shefi i Hamasit, Ismail Haniyeh, zhvilloi bisedime me zyrtarë të Katarit, Egjiptit dhe Türkiyes mbi zhvillimet rreth armëpushimit në Gaza, ku Izraeli ka vazhduar sulmet ajrore dhe tokësore për gati nëntë muaj.

Një deklaratë e Hamasit tha se Haniyeh ishte në "komunikim me ndërmjetësit në Katar dhe Egjipt në lidhje me idetë që po diskutoheshin për të arritur një marrëveshje që do t'i jepte fund agresionit brutal me të cilin përballet populli i palëkundur i Rripit të Gazës".

Haniyeh foli gjithashtu "me zyrtarët në Türkiye në lidhje me zhvillimet e fundit", thuhet në deklaratë, duke shtuar se grupi "u angazhua pozitivisht".

Izraeli ka vrarë afro 38.000 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, që nga një sulm ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor 2023.

Ndërmjetësuesit dhanë përgjigjen e Hamasit ndaj propozimit, i cili do të përfshinte lirimin e pengjeve në Gaza dhe një armëpushim në territor.

Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi se Izraeli po e vlerëson atë dhe do t'ua kalojë përgjigjen ndërmjetësuesve.

Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara janë përpjekur për muaj të tërë për të negociuar një armëpushim dhe lirimin e 120 pengjeve të mbetura në Gaza, por pa rezultat.

Hamasi deklaron se çdo marrëveshje duhet t'i japë fund luftës dhe të çojë në tërheqjen e plotë të Izraelit nga Gaza. Izraeli, megjithatë, thotë se do të pranojë vetëm pauza të përkohshme në luftime dhe dëshiron t'i japë fund sundimit të Hamasit.

Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, njoftoi një plan armëpushimi në tri faza në maj, i cili përfshin lirimin gradual të pengjeve izraelite në Gaza dhe tërheqjen e forcave izraelite. Parashikohet gjithashtu lirimi i të burgosurve palestinezë dhe rindërtimi i Gazës.

AA