Liga Arabe: Sulmet e Izraelit në Gaza shkaktuan pasoja rajonale  /   Foto: AA

Sekretari i përgjithshëm i Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit, tha se sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës kanë shkaktuar pasoja jashtëzakonisht negative dhe të rrezikshme rajonale.

Sipas lajmit të agjencisë zyrtare egjiptiane të lajmeve MENA, Aboul Gheit, foli në hapjen e sesionit të 13-të të Samitit të Investimeve "AIM 2024" të mbajtur në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Abu Dabi.

"Sulmet e Izraelit kundër Gazës kanë shkaktuar pasoja jashtëzakonisht negative dhe të rrezikshme rajonale", tha Aboul Gheit duke shtuar se për shkak të sulmeve në fjalë është ndikuar negativisht sektori i turizmit në vendet fqinje dhe se janë shënjestruar zinxhirët e furnizimit global.

Ai tërhoqi vëmendjen se nga sulmet janë prekur negativisht edhe të ardhurat nga rruga detare dhe çmimet e energjisë dhe se kjo ndikon negativisht çmimet e ushqimeve dhe mallrave bazë. Sekretari i Ligës Arabe potencon se krizat globale kanë ndikuar negativisht mundësitë për rritje në rajon dhe kanë ndërprerë procesin e zhvillimit gjithëpërfshirës në disa rajone.

"Sulmet e Izraelit që vazhdojnë në Gaza kanë prekur negativisht stabilitetin dhe investimet rajonale. Shënjestrimi nga Izraeli në mënyrë të vetëdijshme ndaj të gjitha investimeve, infrastrukturës dhe fitimeve si dhe kryerja e 'sulmeve brutale' ndaj njerëzve në Palestinë pa marrë parasysh ndërgjegjen, humanizmin dhe ligjin e luftës, kanë shkaktuar barrë të rëndë për ekonominë e Palestinës", tha Aboul Gheit.

Ai më tej bëri thirrje për rritjen urgjente të sasisë së ndihmës që dërgohet në rajon për të lehtësuar kushtet humanitare tragjike që rëndohen çdo ditë e më shumë në Rripin e Gazës.

AA