Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, ka deklaruar se konflikti në Gaza nuk mund të injorohet në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB), sepse ai është “problemi kryesor ndërkombëtar sot”.
“Kjo çështje nuk mund të injorohet në Këshillin e Sigurimit, sepse është vërtet problemi kryesor ndërkombëtar sot... pavarësisht se çfarë dikush përpiqet ta portretizojë si të ndryshëm”, tha Llavrov në një konferencë të përbashkët për media në Moskë me homologun e tij egjiptian, Badr Abdelatty.
Duke theksuar se Moska mirëpret çdo hap që synon të ndalojë sa më parë gjakderdhjen në Gaza dhe të sigurojë një armëpushim të qëndrueshëm dhe të përhershëm, Llavrov tha se Rusia dhe Egjipti po përpiqen për të njëjtën gjë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
“I gjithë problemi është se ShBA-ja nuk dëshiron të humbasë asnjë vendim që do të nënkuptonte seriozisht atë që të gjithë e duan, fundin e gjakderdhjes”, shtoi ai.
Kryediplomati rus kujtoi se disa muaj më parë përfaqësuesit e ShBA-së paraqitën një projekt-rezolutë për konfliktin palestinezo-izraelit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, të cilën ai e përshkroi si “shumë të errët dhe të paqartë”.
“Por, ata (ShBA-ja) thanë se kjo ishte e mjaftueshme, se Izraeli u pajtua me këtë qasje dhe gjithçka do të ishte mirë. Kërkuam prova dhe kërkuam që homologët tanë izraelitë të konfirmonin pajtimin e tyre me atë që ishte shkruar në dokumentin amerikan. Ata refuzuan ta bënin këtë, kështu që ne u detyruam të abstenonim për atë rezolutë”, tha Llavrov.
Ai tha se Rusia abstenoi nga votimi në vend që të vendosë veton ndaj tij me kërkesë të homologëve të tyre arab, përfshirë Palestinën, të cilët sipas tij, thanë se donin t'i japin një mundësi dokumentit që amerikanët reklamuan aq shumë.
“Rezoluta u miratua dhe meqenëse u miratua në letër bosh, tani mbetet një letër bosh. Asnjë premtim nga ShBA-ja nuk u përmbush, por kjo nuk do të thotë se ne duhet të ndalojmë përpjekjet tona”, tha Llavrov, duke shtuar se lufta rrezikon të kthehet në një konflikt të ngrirë nëse të gjitha palët nuk respektojnë vendimet e OKB-së për krijimin e një shteti palestinez.
Abdelatty: Egjipti është “më i godituri” nga përshkallëzimi i vazhdueshëm në Detin e Kuq
Egjipti pëson humbje mujore për shkak të reduktimit të të ardhurave nga Kanali i Suezit si rezultat i tensioneve aktuale në Detin e Kuq.
“Ne të gjithë jemi të dëmtuar nga ky përshkallëzim dhe tension i pajustifikuar që prek lirinë e lundrimit ndërkombëtar në Detin e Kuq”, theksoi Abdelatty.
Sipas tij, Egjipti është natyrisht vendi më i goditur nga ky përshkallëzim i rrezikshëm”.
“Ne jemi të dëmtuar çdo muaj nga rënia e rëndë e të ardhurave nga Kanali i Suezit si rezultat i këtij përshkallëzimi”, shtoi Abdelatty.
Ministri egjiptian po ashtu theksoi se ndalimi i luftës së vazhdueshme të Izraelit në Gaza është çelësi për t’i dhënë fund tensionit aktual në Detin e Kuq.
Kanali i Suezit është burimi kryesor i monedhës së huaj për Egjiptin, pasi rruga ujore ndërkombëtare gjeneroi 7,2 miliardë dollarë të ardhura në vitin fiskal 2023/2024, duke shënuar rënie nga 9,4 miliardë dollarë një vit më parë.
Tensioni në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit është përshkallëzuar mes sulmeve në solidaritet me Gazën nga grupi Houthi i Jemenit ndaj anijeve që janë në pronësi izraelite, operojnë ose drejtohen në portet izraelite.