Ministri i Jashtëm rus Sergey Llavrov tha të enjten se nisma e Türkiyes për Rripin e Gazës është një përpjekje për të arritur depërshkallëzimin dhe normalizimin e situatës.
Duke folur në një konferencë për medie në Pyongyang, kryeqyteti i Koresë së Veriut, Llavrov tha se Rusia është e hapur ndaj çdo propozimi konstruktiv dhe do të donte të mësonte më shumë rreth nismës nga Ankaraja.
“Çfarë konkretisht do të donim të dëgjonim nga miqtë tanë turq, me të cilët jemi në kontakt, përfshirë edhe për këtë çështje.
“Ne mbrojmë idenë që çdo qasje duhet të bazohet në një balancë të interesave të palëve dhe jo në imponimin e interesave të dikujt në kurriz të cenimit të të tjerëve. Më duket se nisma turke është diktuar nga dëshira për të siguruar një ekuilibër të tillë. Ne do të jemi të gatshëm të bashkëpunojmë në shqyrtimin e saj”, tha ai.
Türkiye ka vazhduar përpjekjet intensive për të qetësuar situatën në Gaza, e cila u përkeqësua pas sulmit të befasishëm të 7 tetorit ndaj Izraelit nga Hamasi, dhe përgjigjen izraelite në formën e bombardimeve dhe bllokadës së pamëshirshme të enklavës së rrethuar palestineze.
Ankaraja ka propozuar një sistem garantues për konfliktin Izrael-Palestinë për t'i dhënë fund dhunës dhe për të arritur një zgjidhje me dy shtete.
Ajo gjithashtu ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm humanitar në Gaza dhe ka shpallur tri ditë zie kombëtare deri të shtunën për humbjet e civilëve.
Llavrov tha se ekziston një rrezik “i lartë” që kriza aktuale të përshkallëzohet në një konflikt në mbarë rajonin.
Ai kritikoi ShBA-në për veton ndaj rezolutës që bën thirrje për një armëpushim, e cila tani mund të çojë në rritjen e konfliktit.