Në burgjet izraelite për më shumë se 20 vjet qëndrojnë të burgosur 243 palestinez    Foto:AA

Fakhri al-Barghouthi kaloi 33 vite në burgjet izraelite për rolin e tij në luftën e armatosur kundër pushtimit izraelit.
I frymëzuar nga lëvizjet për liri në të gjithë botën dhe duke besuar në mundësitë për çlirimin e Palestinës nga sundimi izraelit, ai së bashku me shumë palestinezë të tjerë iu bashkuan rezistencës para më shumë se 40 vitesh.
Palestinezi 69-vjeçar, i cili vjen nga fshati Kaubar në veri të Ramallahut, u arrestua me kushëririn e tij Nael në vitin 1978 dhe u dënua me burgim të përjetshëm. Ata u liruan në vitin 2011 në një shkëmbim të burgosurish mes Hamasit dhe Izraelit. Por në vitin 2014, ushtria izraelite përsëri e arrestoi Naelin së bashku me shumë palestinezë të tjerë që u liruan në shkëmbimin e të burgosurve dhe ata janë ende në burg.
Sipas Shoqatës së të Burgosurve Palestinezë, 25 palestinezë janë duke vuajtur në burgjet izraelite që para nënshkrimit të Marrëveshjes së Oslos në vitin 1993, e cila kishte për qëllim t'i jepte fund luftimeve disa dekadashe midis izraelitëve dhe palestinezëve, ndërsa 243 të tjerë janë burgosur për më shumë se 20 vjet.
Ndërsa bota shënon Ditën Ndërkombëtare të Nelson Mandelës të hënën për nder të presidentit të ndjerë të Afrikës së Jugut dhe aktivistit për të drejtat civile, dhe luftës së tij për liri dhe drejtësi, Anadolu Agency (AA) zhvilloi një intervistë me Al-Barghouthin.
"Liria asnjë kombit nuk i vjen falas. Nuk vjen as me slogane. Ajo vjen vetëm nëse e ndjen brenda vetes dhe mendimeve të tua dhe më pas vepron si një qenie njerëzore e lirë", tha ai.
Al-Barghouthi tha se populli palestinez meriton të jetë i lirë dhe të ketë një shtet të pavarur, pasi ata kanë luftuar për këtë që nga Deklarata e Balfour-it, deklaratës publike të lëshuar nga qeveria britanike në vitin 1917, duke shpallur mbështetjen për "krijimin e një shteti për popullatën hebreje në Palestinë".
"Ne meritojmë të kemi vendin tonë të pavarur, gjeografinë dhe kulturën tonë të pavarur. Që nga fillimi i pushtimit na u konfiskuan tokat dhe identiteti ynë kulturor, deti, shkretëtira dhe jeta jonë. Por, ne e meritojmë t'i rifitojmë, kështu që jemi ende në një luftë të vazhdueshme", tha ai.
Luftëtari palestinez i lirisë rikujtoi momentet e luftës së tij brenda burgjeve së bashku me shokët e tij të burgosur kundër politikave izraelite për të mbrojtur identitetin e tyre kombëtar dhe konceptet kulturore dhe për të pasur një jetë të denjë.
"Ne luftuam përmes grevave të urisë shumë herë në vitet 1980 dhe humbëm shumë nga shokët tanë të burgosur për të shpëtuar të tjerët nga vuajtjet dhe për t'u dhënë atyre dinjitetin e tyre në burgje. Ne luftuam për lirinë e njerëzve, për dinjitetin njerëzor, brenda dhe jashtë burgjeve", rrëfen ai.
Lufta ndër breza

Në vitin 2004, pas shumë përpjekjesh të vështira përmes shërbimit të burgjeve izraelite, Al-Barghouthi u takua me djemtë e tij Shadi dhe Hadi ndërsa ishin në burgun Ashkelon pas ndalimit të tyre për shkak të aktiviteteve të tyre në lëvizjen e rezistencës palestineze gjatë Intifadës së Dytë.
Duke folur për AA, ai përshkroi kohën e vështirë dhe të mundimshme që kaloi atë ditë.

"Duhej të hapeshin tetë dyer që të kaloja nga dhoma e pritjes në qelinë e burgut ku unë qëndroja. Me çdo zhurmë të çelësave në dyer, ndieja se këta çelësa nuk ishin në dyer, ata ishin në zemrën time", tha ai.
Al-Barghouthi u takua me djemtë e tij pas 26 vitesh përpjekjesh për t'u ribashkuar me ta, pasi për herë të fundit i kishte parë në vitin 1978 kur ishin djem të rinj. Ai tregoi se si i kishte përqafuar në oborrin e burgut ndërsa 450 të burgosur të tjerë qanin teksa shikonin këtë skenë.
"Djali im Shadi është ende në burg që nga viti 2003, kurse kushëriri im Naeli për më shumë se 40 vjet. Detyrimi i fraksioneve palestineze është t'i lirojë ata dhe të gjithë të burgosurit e tjerë, sepse të burgosurit paguan me jetët tyre lirinë e të gjithë neve", tha ai.
"Turp i madh është të lihen këta njerëz në burgje", shtoi ai.
Dita Ndërkombëtare e Nelson Mandelës u shpall zyrtarisht nga OKB-ja në nëntor 2009 në shenjë mirënjohjeje të ditëlindjes së Mandelës më 18 korrik 1918. Kjo është një thirrje ndërkombëtare për veprim që njeh aftësinë e çdo individi për të ndikuar në jetë.

AA