Luftanija iraniane “Alborz” hyri në Detin e Kuq përmes ngushticës Bab al-Mandeb, raportojnë mediat shtetërore të Iranit. Ky zhvillim vjen në mes të tensioneve mes Houthive të Jemenit, të përkrahur nga Irani, dhe forcave amerikane në Detin e Kuq
Sipas agjencisë së Iranit Tasnim, anija luftarake "Alborz" nën komandën e Flotës së 94-të Detare të Marinës iraniane kaloi përmes ngushticës Bab al-Mandeb dhe hyri në Detin e Kuq si pjesë e misioneve të rregullta në ujërat ndërkombëtare.
Lajmi thoshte se marina iraniane ka "operuar në ujëra të hapura për të siguruar linjat e anijeve, për të luftuar piratët dhe për të kryer detyra të tjera" që nga viti 2009.
Veprimet e Houthive dhe ndërhyrjet e forcave amerikane në Detin e Kuq
Houthi në Jemen, të mbështetur nga Irani, kishin filluar të sulmonin anije tregtare të lidhura me kompanitë izraelite në brigjet e Jemenit që nga 31 tetori në përgjigje të sulmeve të Izraelit në
Gaza dhe të sulmonin disa prej tyre me dronë dhe raketa.
Forcat amerikane njoftuan se kishin rrëzuar raketa dhe dronë kamikazë të gjuajtur nga Jemeni shumë herë gjatë kësaj periudhe.
Pas veprimeve të Houthive, shumë kompani detare vendosën të ndalojnë udhëtimet e tyre në Detin e Kuq.
Së fundmi, 10 persona nga forcat Houthi humbën jetën ditën e djeshme si pasojë e sulmeve nga helikopterët amerikanë ndaj 3 anijeve të vogla të Houthive, të cilët po tentonin të kapnin anijen e lidhur me Izraelin në Detin e Kuq.