Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka deklaruar se vendi i tij nuk do ta njohë shtetësinë palestineze "për shkak të zemërimit".
xNë një intervistë me transmetuesit TF1 dhe France 2, presidenti Macron përsëriti mbështetjen e vendit të tij për një armëpushim në Gaza, zgjidhjen me dy shtete, si dhe të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje.
"Ne nuk e njohim një vend si shtet për shkak të zemërimit, ne e bëjmë atë brenda një procesi", theksoi Macron, duke përsëritur se njohja e Palestinës nuk është një "tabu".
Duke theksuar se "tani nuk është e arsyeshme", Macron tha se “"do të vijë momenti dhe Franca do ta bëjë atë, por duhet të bëhet brenda një procesi".
Në këtë kontekst, presidenti francez shpjegoi se Palestina duhet së pari të zbatojë disa reforma dhe se akti i njohjes duhet të përdoret për të ushtruar presion ndaj Izraelit, duke e bërë të nevojshme mobilizimin e vendeve si ShBA-ja.
Ai konfirmoi se do të vazhdojë të punojë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, për sa kohë që është në detyrë, duke e përshkruar atë si një "bashkëbisedues plotësisht legjitim".
Organizatat e shoqërisë civile dhe sindikatat studentore po u bëjnë presion qeverive evropiane që të njohin Palestinën si shtet dhe të mbrojnë të drejtat e palestinezëve përballë sulmeve të vazhdueshme izraelite ndaj civilëve në strehimoret e OKB-së dhe kampet e të zhvendosurve.
Më 28 maj, Spanja, Norvegjia dhe Irlanda njohën Palestinën, ndërsa Sllovenia e njohu më vonë më 4 qershor.
Dje, 24 organizata belge të shoqërisë civile i dërguan një letër kryeministrit Alexander De Croo, duke i kërkuar atij që "të njohë shtetin e Palestinës pa vonesë".
Izraeli vazhdon ofensivën brutale në Gaza që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, pavarësisht nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm.
Të paktën 36.600 palestinezë janë vrarë që atëherë në Gaza, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe mbi 83 mijë të tjerë janë plagosur. Tetë muaj pas luftës izraelite, pjesë të mëdha të Gazës janë kthyer në gërmadha mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në vendimin e fundit të saj urdhëroi Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionet në qytetin jugor Rafah, ku mbi 1 milion palestinezë kanë kërkuar strehim nga lufta përpara se qyteti të pushtohej më 6 maj.