Presidenti francez Emmanuel Macron i kujtoi kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu se "vendi i tij u krijua me një vendim të Kombeve të Bashkuara (OKB)" dhe i bëri thirrje qeverisë së Izraelit t'u bindet këtyre vendimeve në kontekstin e sulmeve izraelite në Rripin e Gazës dhe Liban.
Sipas raportimeve të mediave franceze, Macron i bëri thirrje Izraelit të respektojë rezolutat e OKB-së në një takim të qeverisë franceze.
Duke iu referuar rezolutës së OKB-së të 29 nëntorit 1947, e cila hapi rrugën për vendosjen e Izraelit në territorin palestinez, Macron tha: “Netanyahu nuk duhet të harrojë se vendi i tij u krijua me një vendim të OKB-së”.
Ai tha se “nuk është koha për të injoruar rezolutat e OKB-së”.
Ndaj deklaratës së Macron ka reaguar zyra e kryeministrit izraelit.
Deklarata, e cila pretendon se Izraeli nuk është krijuar me një vendim të OKB-së, thotë:
"Kujtim për Presidentin francez: Shteti i Izraelit nuk u krijua me një vendim të OKB-së, por me një fitore të arritur me gjakun e luftëtarëve heroikë në Luftën e Pavarësisë. Shumë prej këtyre luftëtarëve i mbijetuan Holokaustit. Këtu përfshihen të mbijetuarit e Vichyt në Francë”.
Deklarata gjithashtu pretendonte se Kombet e Bashkuara kishin marrë "shumë vendime antisemitike" dhe se qëllimi i këtyre vendimeve ishte "t'i mohonin Izraelit të drejtën e tij për të ekzistuar dhe për të mbrojtur veten".
Izraeli sulmoi Forcën e Përkohshme Paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL), në të cilën po shërbenin ushtarët francezë dhe Franca dënoi "shkeljen e plotë" të ligjit ndërkombëtar nga Izraeli.
Tensione mes Macron dhe Netanyahut kishe edhe lidhur me vendosjen e një embargo të armëve ndaj Izraelit. Macron bëri thirrje për ndalimin e furnizimit me armë që do të përdoreshin nga Izraeli në sulmet e tij në Gaza.
Netanyahu, nga ana tjetër, reagoi ndaj deklaratave të Macron, duke pretenduar se ai po luftonte për "civilizimin" kundër Iranit dhe i cilësoi thirrjet e liderëve perëndimorë për një embargo armësh ndaj Izraelit si "të turpshme".
Macron: Netanyahu nuk duhet të harrojë se Izraeli u krijua me një vendim të OKB-së.