Presidenti i Francës Emmanuel Macron tha se situata në Gaza është serioze dhe se ajo po përkeqësohet çdo ditë e më shumë. Ai theksoi se ka nevojë për një pauzë të shpejtë humanitare të konfliktit dhe përpjekje shtesë për armëpushim.
"Ka nevojë që menjëherë të vendoset pauzë humanitare në konflikt dhe të punohet për armëpushim. Ne duhet të ofrojmë hapësirën e nevojshme për punonjësit humanitarë që të operojnë në Gaza", tha ai.
Sot në Paris filloi Konferenca Ndërkombëtare Humanitare për civilët në Rripin e Gazës të bllokuar që ka qenë nën sulme të ashpra izraelite që nga 7 tetori.
Në konferencë po marrin pjesë përfaqësues të shumë vendeve dhe organizatave, ndër të tjera janë zëvendësministri i Jashtëm i Türkiyes Ahmet Yildiz, kryeministri palestinez Muhammed Shtayyeh, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, kryeministri irlandez Leo Varadkar, presidentja e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) Mirjana Shpoljariç Egger si dhe zyrtarë dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare nga shumë vende.
Në hapje të konferencës, presidenti francez Macron deklaroi se në Gaza janë 239 të burgosur, në mesin e të cilëve ka dhe francezë dhe bëri thirrje për lirimin e tyre.
"Kur Hamasi sulmoi Izraelin, mori përgjegjësinë për nënshtrimin e palestinezëve ndaj pasojave të tmerrshme. Sot, civilët në Gaza po vuajnë", tha Macron.
Duke përmendur se mijëra njerëz janë vrarë dhe plagosur dhe më shumë se një milion janë zhvendosur, Macron tha se të gjitha jetët janë njëlloj të vlefshme dhe nuk mund të ketë standarde të dyfishta.
"Kundër terrorizmit, Izraeli ka të drejtën të mbrojë veten dhe detyrën për të mbrojtur civilët", tha Macron duke shtuar se Izraeli duhet të respektojë ligjin dhe se lufta kundër "terrorizmit" u nënshtrohet rregullave.
Macron njoftoi se ndihma e Francës për civilët në Gaza do të rritet në 100 milionë euro.