Udhëheqësit e vendeve të Bashkimit Evropian (BE) dhe të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit (GCC) do të takohen sot në Bruksel në kuadër të samitit të parë midis tyre.
Sipas njoftimit nga Këshilli i Evropës, samiti mes BE-së dhe GCC-së, që do të mbahet për herë të parë, titullohet "Partneriteti strategjik për paqe dhe prosperitet".
Samiti do të mbledhë së bashku liderët e 27 vendeve anëtare të BE-së dhe liderët e vendeve anëtare të GCC-së, respektivisht Katarit, Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahreinit, Omanit dhe Kuvajtit.
Samiti do të bashkëkryesohet nga presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel dhe Emiri i Katarit Tamim bin Hamad Al Thani, ndërsa përpara nisjes gjithashtu do të zhvillohen takime dypalëshe.
Pas krizës energjetike me Rusinë, BE-ja dëshiron të afrohet me vendet e Gjirit në kuadër të sanksioneve që përfshijnë edhe sektorin energjetik që blloku evropian zbatoi ndaj Moskës menjëherë pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë, si dhe në kuadër të planit për diversifikimin e burimeve të energjisë.
Përveç temave dypalëshe mbi energjinë, tregtinë dhe investimet, në samit do të diskutohen edhe përpjekjet për paqe në Lindjen e Mesme.