Ish-basketbollistja franceze Emilie Gomis, e cila u hoq nga detyra e saj si ambasadore olimpike për kritikat ndaj Izraelit në Instagram, thotë se ajo është vënë në shënjestër për të treguar se çfarë do të ndodhë me ata që mbështesin palestinezët.
Duke folur për Anadolu, Gomis tha se ajo postoi një story në Instagram më 9 tetor të vitit të kaluar për të shpjeguar se çfarë mund t’i bëjë kolonializmi një vendi dhe pse ndodhi sulmi ndërkufitar i 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas ndaj Izraelit.
Gomis tha se kurrë nuk i kishte parashikuar pasojat që mund të sillte shpërndarja e një story në Instagram.
Gomis postoi në Instagram një pamje që tregonte hartat e Francës nga viti 1947, 1967 dhe 2023, me flamurin izraelit që mbulonte gradualisht flamurin trengjyrësh për ta zëvendësuar atë në territorin francez.
"Çfarë do të bënit në këtë situatë?" shkroi ajo në postim.
Si vajza e një emigranti senegalez, Gomis tha se çështja është shumë e rëndësishme për të. "Unë thjesht doja të rrisja ndërgjegjësimin dhe të tërhiqja vëmendjen për të."
Gomis u zgjodh për rolin e ambasadores së Parisit 2024 në nëntor 2021.
Akuzat për antisemitizëm
Gomis tha se agjenti i saj e telefonoi dhe i kërkoi asaj të hiqte atë që kishte publikuar, duke vënë në dukje se ajo duhet të qëndrojë neutrale si ambasadore olimpike e Paris 2024 dhe të mos ndajë postime për luftën.
Meqenëse ajo ishte ambasadore olimpike në atë kohë, ajo u këshillua se kjo ishte një çështje e ndjeshme dhe do të ishte më mirë të mos përfshihej, shtoi Gomis.
“Për këtë arsye kërkova falje për postimin pa e ditur se kujt duhet t’i kërkoj falje”.
Në një postim në X, Gomis tha se ajo akuzohej se ishte "antisemite" dhe "mbronte terroristët".
"Unë u befasova dhe thirra drejtpërdrejt shefin tim. Tony Estanguet është presidenti i Parisit 2024. Ishte shumë e rëndësishme për mua t'i thoja fillimisht se ky post nuk ishte kundër hebrenjve apo dikujt tjetër, siç pretendohej."
Estanguet i tha asaj se do ta diskutonte çështjen me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar (IOC), tha Gomis. Megjithatë, ai më vonë i tha asaj: "Emilie, mendoj se ke bërë diçka të gabuar. Ata nuk duan më probleme, kështu që e kanë të vështirë të të mbajnë. Duhet të tërhiqesh".
Gomis tha se ajo nuk mund të kontaktojë askënd për të shpjeguar veten.
“E kuptova se isha objektivi i organizatave joqeveritare pro-izraelite, sepse ato po flisnin drejtpërdrejt me shtypin”, tha ajo.
“Presidenti i Këshillit Përfaqësues të Institucioneve Hebraike të Francës (CRIF) deklaroi me krenari në media se ai thirri ministrin e Sportit dhe tha Emilie duhej të shkarkohej”, thekson ish-ambasadorja.
“Kur e dëgjova këtë, e dija saktësisht se çfarë do të më ndodhte dhe se kjo ishte propagandë kundër meje. Kjo nuk kishte të bënte me atë se kush jam; ishte për mbështetjen time për popullin palestinez dhe anën që zgjodha. Kjo është arsyeja pse ata më vunë në shënjestër. Nuk kishte të bënte me antisemitizmin apo mbrojtjen e terrorizmit", tha Gomis.
Ajo tha se një shoqatë ngriti një ankesë kundër saj për "propagandë terroriste" dhe "antisemite" dhe ajo u thirr në komisariat për të dhënë një deklaratë në lidhje me akuzat.
"Sinqerisht, ishte e rëndësishme për mua që të mund të shpjegoja veten dhe të tregoja se çfarë ndodhi. Sepse për më shumë se 40 ditë, unë po përpiqesha të bëja që zëri im të dëgjohej nga institucionet sportive dhe nuk ia kisha dalë".
Lidhur me mirëseardhjen e delegacionit palestinez në aeroportin Charles de Gaulle të Parisit më 25 korrik, Gomis tha: "Unë vazhdoj të mbështes Palestinën. Kjo ka të bëjë me njerëzimin, drejtësinë dhe njohjen e një populli që duhet të jetë sovran".
Vendimi i IOC-së “hipokritik”
Duke adresuar sanksionet e IOC-it ndaj atletëve rusë, duke mos marrë asnjë veprim kundër atletëve izraelitë, Gomis tha: "Kjo është hipokrizi. Pse nuk e kuptojmë që Izraeli nuk respekton rregullat? Edhe nëse nuk pajtohemi me atë që IOC-ja është duke bërë në lidhje me Rusinë, ne duhet ta respektojmë atë”.
"Ne gjithashtu duhet të respektojmë ligjet e OKB-së, të cilat shpjegojnë qartë se çfarë po ndodh dhe çfarë po bën Izraeli. Duhet të ketë një ekuilibër në këto vendime."
Gomis theksoi se masat e aplikuara ndaj sportistëve rusë dhe më parë ndaj atletëve të Afrikës së Jugut duhet të zbatohen edhe ndaj atletëve izraelitë sot, duke theksuar se situata në Gaza është më e keqe se në Ukrainë.
Ajo tha se nuk dëshiron që atletët izraelitë të përjashtohen nga Lojërat Olimpike, por të marrin pjesë nën një flamur neutral.
“Një shtet që kryen gjenocid nuk mund të marrë pjesë në Olimpiadë me flamurin dhe himnin e tij”, theksoi ajo.
Gomis theksoi se Lojërat Olimpike bazohen në vlera universale, duke shtuar: "Unë mendoj se Izraeli duhet të marrë pjesë në Lojërat Olimpike nën një flamur neutral dhe t'i nënshtrohet të njëjtave sanksione të zbatuara për Rusinë dhe Afrikën e Jugut".
Presion mbi kritikët në Francë
Mes tjerash ajo foli edhe për presionin e konsiderueshëm ndaj atyre që kritikojnë Izraelin në Francë.
“Në Francë ka presion të madh ndaj njerëzve që mbështesin Palestinën, aktualisht nuk ju lejohet të shkruani në rrjetet sociale për të treguar realitetet e asaj që po ndodh në Gaza, si për shembull shpërndarja e videove të fëmijëve të vrarë. Nuk ju lejohet ta tregoni këtë, sikur nuk respektoni rregullat e medias”, tha Gomis.
Ajo gjithashtu tha se është bllokuar në rrjetet sociale, faqja e saj zyrtare në Facebook u mbyll dhe Instagram filloi të fshinte videot e saj.
Gomis tha se njerëzit në Francë janë të shqetësuar se çfarë mund të ndodhë me ta nëse flasin.
Ajo shtoi se komuniteti izraelit në Francë po dërgon një mesazh përmes mediave: "A e shihni se çfarë ndodhi me Emilie Gomis? Nëse bëni diçka, e njëjta gjë do të ndodhë me ju. Ajo humbi punën dhe ishte personazh publik. "
Koha është që njerëzit të dinë se çfarë po ndodh në Gaza
Gomis theksoi se pavarësisht se ishte një figurë publike, sfidat me të cilat ajo përballej ishin të rëndësishme dhe njerëzit e zakonshëm mund të vuanin edhe më shumë në rrethana të tilla, duke theksuar se individët me origjinë arabe mund të etiketohen drejtpërdrejt si "terroristë".
Ajo mendon se është gjithashtu koha që njerëzit të dinë se çfarë po ndodh në Gaza.
“Prandaj u përpoqa të flisja me disa sportistë francezë, por ishte e vështirë për ta të shpreheshin. E kuptoj sepse kanë punuar për shumë vite për të marrë pjesë në Olimpiadë, ndaj rrezikojnë të humbasin mundësinë për të garuar.
“E kuptoj pse heshtin në këtë moment”.
Ajo beson se pas përfundimit të Lojërave Olimpike, atletët do të fillojnë të flasin hapur për Gazën.