Punonjësit shëndetësorë kanë zbuluar të paktën 283 trupa njerëzish nga një varr masiv në Spitalin Nasser në qytetin jugor të Khan Younis, tha të hënën agjencia e mbrojtjes civile të Gazës.
“Ekipet e mbrojtjes civile nxorën 73 trupa të tjerë nga varri masiv, duke e çuar shifrën totale në 283 trupa që nga e shtuna”, tha agjencia në një deklaratë.
Sipas deklaratës, ekipet e mbrojtjes civile janë ende në kërkim të trupave të tjerë në varr.
Një varr masiv u gjet në oborrin e spitalit të shtunën pasi ushtria izraelite u tërhoq nga qyteti më 7 prill pas një ofensive tokësore 4-mujore.
Sipas Ismail al-Thawabteh të zyrës së mediave të qeverisë së Gazës, rreth 700 persona janë shpallur të pagjetur që nga tërheqja e ushtrisë izraelite nga qyteti.
“Ne besojmë se ka qindra trupa ende të zhdukur pasi u ekzekutuan nga okupimi izraelit dhe u varrosën në varre masive”, tha ai për Anadolu.
Izraeli ka zhvilluar një ofensivë brutale në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor vitin e kaluar, për të cilin Tel Avivi thotë se vrau afro 1.200 njerëz.
Të paktën 34.151 palestinezë janë vrarë që atëherë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe 77.000 të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së madhe të nevojave elementare.
Lufta izraelite ka shtyrë 85% të popullsisë së Gazës në zhvendosje të brendshme mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60% e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar, sipas OKB-së.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.