Media izraelite: Nga 7 tetori janë plagosur rreth 1.000 ushtarë izraelitë

Media izraelite: Nga 7 tetori janë plagosur rreth 1.000 ushtarë izraelitë

Të dhënat zyrtare izraelite tregojnë se 392 pjesëtarë të ushtrisë izraelite janë vrarë që nga 7 tetori.
Media izraelite: Nga 7 tetori janë plagosur rreth 1.000 ushtarë izraelitë      / Foto: AA

Rreth 1.000 ushtarë izraelitë janë plagosur që nga fillimi i sulmeve izraelite në Gaza më 7 tetor, raportoi media izraelite.

Sipas një shkrimi në të përditshmen izraelite Haaretz, e cila këto informacione i ka marrë nga burime ushtarake, 202 ushtarë izraelitë janë në gjendje kritike, 320 në gjendje kritike të moderuar, kurse 470 janë me plagë të lehta.

Haaretz bëri të ditur se 29 ushtarë të plagosur rëndë janë ende duke u trajtuar në spitale.

Këto janë të dhënat e para nga ushtria izraelite për ushtarët e plagosur.

Të dhënat zyrtare izraelite tregojnë se 392 pjesëtarë të ushtrisë izraelite janë vrarë që nga 7 tetori, pa dhënë detaje se si kanë vdekur.

Ministria e Jashtme e Katarit njoftoi mbrëmë se pauza humanitare e arritur midis Izraelit dhe Hamasit është zgjatur edhe për dy ditë.

Izraeli nisi sulme brutale në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor.

Që atëherë, më shumë se 15.000 palestinezë janë vrarë, duke përfshirë 6.150 fëmijë dhe më shumë se 4.000 gra, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë.

Numri zyrtar i të vdekurve në Izrael është 1.200.

AA