Media: Macron refuzon grekët për bllokimin e shitjes së raketave në Türkiye.           Foto: AA

Presidenti francez Emmanuel Macron ka refuzuar kërkesën e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis për ta bllokuar shitjen e raketave Meteor në Türkiye, raportuan mediat greke të martën.

Gjatë një takimi në Samitin e Inteligjencës Artificiale në Paris, Macron theksoi se pezullimi i shitjes së raketave ajër-ajër të Meteor në Türkiye nuk është i mundur, shkruan e përditshmja "EFSYN".

Presidenti francez sqaroi se shitja e këtyre raketave nuk është ekskluzivisht nën juridiksionin francez, pasi ato prodhohen nga konsorciumi evropian MBDA, i cili përfshin Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën, Italinë, Spanjën dhe Suedinë.

Greqia tani planifikon të kërkojë mbështetje nga anëtarët e tjerë të konsorciumit në përpjekje për ta parandaluar shitjen e raketave në Ankara.

Türkiye, në përpjekje për ta forcuar mbrojtjen e saj ajrore, është duke negociuar blerjen e deri në 40 avionëve luftarakë EF-2000 Eurofighter dhe raketat Meteor thuhet se janë pjesë e kësaj pakete.

Greqia, e cila kohët e fundit i ka rritur ndjeshëm investimet e saj ushtarake, duke përfshirë modernizimin e avionëve F-16 dhe blerjen e avionëve luftarakë francezë Rafale të pajisur me raketa Meteor, kundërshton fuqishëm shitjen e tyre në Türkiye.

Prandaj, më 29 janar, ministri grek i Mbrojtjes Nikos Dendias thirri ambasadorin dhe atasheun ushtarak francez në Athinë për ta shprehur pakënaqësinë e tij për marrëveshjen.

Më pas Mitsotakis i kërkoi Macronit sqarime të mëtejshme mbi negociatat më 4 shkurt gjatë takimit të tyre në margjinat e samitit të BE-së në Bruksel.

Burimet turke raportuan se Presidenti Recep Tayyip Erdoğan dhe Macron diskutuan marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimin, mes temave të tjera, gjatë një telefonate të premten e kaluar.

TRT Balkan / agjencitë