Grupi Shtatë (G7) është shndërruar në një "klub lufte" dhe nuk është më një klub i ekonomisë, ka raportuar media shtetërore e Koresë së Veriut, duke hedhur poshtë çdo referencë se blloku përfaqëson komunitetin ndërkombëtar.
Duke e quajtur G7-n një "grup kontraktor lufte", Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve (KCNA) tha se çdo "ndërhyrje" nga blloku në Gadishullin Korean do të nënkuptonte "zgjerimin ushtarak të NATO-s, aleancës globale të luftës".
Në komentin e saj, media koreano-veriore reagoi ndaj një takimi të ministrave të mbrojtjes të G7-s në Itali, i pari këtij lloji, për të cilin Koreja e Veriut tha se ishte “e papërshtatshme" për misionin dhe detyrën e saj.
Ministrat e mbrojtjes të vendeve të G7-s u takuan të shtunën në Itali, përderisa tensionet vazhdojnë të rriten në Lindjen e Mesme dhe lufta midis Rusisë dhe Ukrainës po vazhdon.
Takimi, ku morën pjesë ministrat e mbrojtjes nga ShBA-ja, Gjermania, Franca, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Japonia, si dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, nisi në Napoli të Italisë, qytet i cili gjithashtu posedon një bazë të NATO-s.
Megjithatë, KCNA-ja akuzoi vendet perëndimore se "po punojnë shumë që flakët e luftës në Evropë të përhapen" në Azi duke pretenduar se siguria e dy kontinenteve është “e pandashme".
Media koreano-veriore po ashtu akuzoi G7-n për "nxitje” të konfrontimit ndërkampor duke bërë "vërejtje të pamatura se korniza e sigurisë ndërkombëtare është zhytur në një rrezik më të madh nga shtetet e pavarura dhe sovrane, si Koreja e Veriut, Rusia dhe Kina".
Duke reaguar ndaj pjesëmarrjes së Koresë së Jugut në këto samite të NATO-s, si dhe ndaj telefonatës së presidentit së Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, me shefin e NATO-s lidhur me bashkëpunimin e Phenianit me Rusinë, KCNA-ja tha se vendet perëndimore, vendet anëtare të NATO-s dhe vendet anëtare të G7-s, të cilat janë pjesë e Komandës së OKB-së të udhëhequr nga ShBA-ja, janë "të përfshira drejtpërdrejtë në stërvitjet e luftës për agresionin" kundër Koresë së Veriut.
Presidenti koreano-jugor diskutoi me shefin e NATO-s në fillim të kësaj jave për vendosjen e supozuar të trupave të Koresë së Veriut në Rusi. Moska dhe Pheniani nuk i kanë konfirmuar apo mohuar pretendimet, por Rusia e quajti atë lajm "të rremë" dhe të ekzagjeruar.
Parlamenti rus po ashtu ratifikoi një traktat me Korenë e Veriut, duke shkaktuar një reagim të ashpër nga Seuli me "shqetësime të rënda".
Koreja e Jugut ka deklaruar se do ta konsiderojë dërgimin e armëve në Ukrainë si përgjigje ndaj rritjes së lidhjeve ushtarake midis Phenianit dhe Moskës.