Dita e Lirisë së Medias: Rritet ndikimi politik dhe sulmet ndaj gazetarëve / Foto: AA

Në Ditën e Lirisë së Medias paralajmërohet për rritje të ndikimit politik dhe sulmeve ndaj mediave dhe theksohet se situata është veçanërisht kritike për gazetarët në Gaza.

Përkatësisht, renditja e re e lirisë së medias nga Reporterët pa Kufij (RSF) zbulon se qeveritë dhe politikanët po i neglizhojnë gjithnjë e më shumë detyrimet e tyre për mbrojtjen e mediave, gjë që është veçanërisht shqetësuese me zgjedhjet e shumta të ardhshme në mbarë botën.

"Pa fakte nuk mund të luftojmë kundër gënjeshtrës dhe informacionit të rremë. Pa përgjegjësi nuk do të kemi politika të forta. Pa lirinë e medias nuk do të kemi asnjë liri. Media e lirë nuk është zgjedhje, por domosdoshmëri", tha Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, në një mesazh në Ditën Botërore të Lirisë së Medias.

Ai theksoi veçanërisht çështjen e mjedisit dhe shkroi se “bota po përballet me një krizë të paprecedentë mjedisore dhe gazetarët dhe punonjësit e medias kanë një rol kyç në informimin dhe ndërgjegjësimin e njerëzve për këtë”.

Guterres theksoi sfida të tjera si konfliktet dhe luftërat në mbarë botën dhe shprehu shqetësimin e tij për numrin e madh të gazetarëve të vrarë në operacionet ushtarake izraelite në Gaza.

"Gazetaria e pavarur dhe e bazuar në fakte ndihmon në mbrojtjen e demokracive tona duke ekspozuar padrejtësitë, duke i mbajtur liderët përgjegjës dhe duke u mundësuar qytetarëve të marrin vendime të informuara," tha Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme Josep Borrell në emër të BE-së në Ditën e Lirisë së Medias.

Ashtu si Guterres, Borrell gjithashtu paralajmëroi në një deklaratë për sulmet gjithnjë e më të shpeshta ndaj gazetarëve dhe tha se "gazetarët dhe punonjësit e medias që raportojnë nga konfliktet e armatosura duhet të mbrohen në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare".

“Në vitin 2024, kur zgjedhjet do të mbahen në më shumë se 60 vende të botës, puna e gazetarëve është më e rëndësishme se kurrë”, tha Borell.

Më shumë se gjysma e popullsisë së botës do të shkojë në votime këtë vit, sipas një raporti të publikuar nga organizata ndërkombëtare RSF.

Treguesi politik është një nga pesë treguesit në shkallën e lirisë së medias që RSF-ja merr parasysh kur rendit vendet sipas lirisë së medias.

“Thyerja e fuqisë së medias përballë sjelljes së papërshtatshme nga politikanët ndonjëherë shkon dorë për dore me masa armiqësore që minojnë rolin e gazetarëve ose media përdoret madje si mjet për të ngacmuar dhe dezinformuar publikun”, tha drejtori i redaksisë së RSF-së, Anna Bocande kur u publikua raporti.

Autorët e raportit të rregullt vjetor vënë theks të veçantë në fatin e gazetarëve palestinezë, të cilët janë shpesh objektiva të sulmeve gjatë ofensivës së vazhdueshme izraelite në Gaza.

Sipas RSF-së, forcat izraelite kanë vrarë më shumë se njëqind gazetarë atje, duke përfshirë të paktën 22 gjatë punës së tyre.

Përveç vendeve të tjera ku po zhvillohen konflikte të armatosura, si RD e Kongos ose Siria, situata e sigurisë për gazetarët është përkeqësuar veçanërisht në Nigeri dhe raporti thekson gjithashtu zhvillimet në rajonin e Sahelit, ku junta ushtarake e Nigerit, Burkina Fasos dhe Malit kanë forcuar kontrollin mbi mediat.

Inteligjenca artificiale kërcënon gazetarët dhe demokracinë në përgjithësi, dhe RSF-ja na kujton audio-incizimin fals parazgjedhor të gazetares sllovake Monika Todorova, e cila është një nga viktimat e para të teknologjive të tilla të reja mes gazetarëve.

Pavarësisht një treguesi disi më të ulët politik, Norvegjia ruajti vendin e parë në renditje, e ndjekur nga Danimarka dhe Suedia. Afganistani, Siria dhe Eritrea janë tani në fund të renditjes.

Në krye të renditjes dominojnë vendet evropiane, veçanërisht anëtarët e BE-së. Megjithatë, siç thuhet në raport, ka edhe vende brenda Bashkimit ku liritë e medias janë duke u testuar dhe në veçanti dallohen Hungaria, Greqia dhe Malta.

AA