Mediat: Armëpushimi mes Izraelit dhe Hezbollahut "brenda dy ditësh".        Foto: Reuters

Një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe grupit libanez Hezbollah pritet të shpallet brenda dy ditësh, raportuan të hënën mediat izraelite.

Transmetuesi publik KAN, duke cituar një burim izraelit, tha se kryeministri Benjamin Netanyahu ra dakord për një armëpushim të mbështetur nga ShBA-ja me Libanin.

Sipas transmetuesit publik, Netanyahu i dha dritën jeshile të dërguarit amerikan Amos Hochstein për të ecur përpara me marrëveshjen e armëpushimit me Libanin.

KAN-i raportoi se marrëveshja pritet të shpallet brenda dy ditësh.

Burimet izraelite pohuan se marrëveshja e armëpushimit me Libanin tashmë është vendosur dhe Netanyahu tani po punon se si ta prezantojë atë në publik.

KAN-i tha se bisedimet aktuale janë fokusuar në lirinë e Izraelit për të operuar përgjatë kufijve me Libanin dhe Sirinë pas përfundimit të marrëveshjes.

Transmetuesi, duke cituar burime të mirëinformuara, tha se Tel Avivi ka marrë garanci amerikane që lejojnë Izraelin "të veprojë ushtarakisht nëse Hezbollahu shkel kushtet e armëpushimit".

Nuk ka pasur ende asnjë koment nga Hezbollahu apo autoritetet libaneze mbi raportin.

Javën e kaluar, Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut, Sheikh Naim Qassem, tha se grupi libanez kishte paraqitur komentet e tij mbi propozimin e ShBA-së për armëpushim, duke theksuar se çështja tani varet nga serioziteti i Netanyahut në arritjen e një marrëveshjeje.

Izraeli ka përshkallëzuar sulmet ajrore në Liban kundër atyre që ai pretendon se janë objektiva të Hezbollahut, si pjesë e luftës njëvjeçare me grupin libanez që nga fillimi i luftës së Gazës vitin e kaluar.

Më shumë se 3.600 njerëz janë vrarë në sulmet izraelite në Liban, me më shumë se 15.300 të plagosur dhe mbi 1 milion të zhvendosur që nga tetori i vitit të kaluar, sipas autoriteteve shëndetësore libaneze.

Izraeli e zgjeroi konfliktin duke nisur një sulm tokësor në Libanin jugor më 1 tetor të këtij viti.

TRT Balkan / agjencitë