Mediat izraelite raportuan se më shumë se 100 raketa janë lëshuar nga Libani në drejtim të Izraelit gjatë ditës, dhe disa prej tyre kanë shkaktuar zjarre në Galilenë Perëndimore.
Radioja e ushtrisë izraelite tha se "më shumë se 100 raketa janë lëshuar nga Libani në veri të Izraelit që nga orët e mëngjesit".
Një deklaratë nga ushtria izraelite tha se sirenat paralajmëruese u dëgjuan në rajonin Qendror të Galilesë dhe Gjirin e Haifa.
Shumë prej raketave thuhet se janë kapur nga mbrojtjet kundërajrore.
Nga ana tjetër, automjetet ushtarake izraelite filluan të lëvizin drejt kufirit libanez mes njoftimeve për sulme tokësore.
Hezbollahu dhe Izraeli kanë qenë në luftë përtej kufirit që nga fillimi i luftës së Izraelit në Rripin e Gazës, e cila vrau rreth 41,600 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë, pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor të vitit të kaluar.
Izraeli ka kryer sulme masive ajrore në Liban që nga 23 shtatori, duke vrarë më shumë se 960 njerëz dhe duke plagosur më shumë se 2.770 të tjerë.
Komuniteti ndërkombëtar paralajmëron se sulmet izraelite ndaj Libanit mund të përshkallëzohen në një luftë më të gjerë rajonale.