Në Sudan, ku rreth një vit vazhdon lufta civile, njerëzit detyrohen të hanë karkaleca për shkak të urisë.
Organizata "Al Najat Charity" me seli në Kuvajt publikoi një video në llogarinë e saj në rrjetet sociale në lidhje me situatën e sudanezëve që janë bërë refugjatë për shkak të luftës civile.
Në video theksohet se disa familje sudaneze që u arratisën nga zonat e luftës civile dhe u strehuan në tenda të improvizuara në shkretëtirë kishin vështirësi të mëdha në gjetjen e ushqimit dhe se familjet që përballeshin me urinë duhej të hanin karkaleca për të mbijetuar.
Në videon e postuar me titullin "Paramendoni, vakti i tyre i vetëm janë karkalecat", mund të shihet se si anëtarët e familjes janë duke ngrënë karkalecat që kanë mbledhur, ndërsa bëhet e ditur se mijëra familje sudaneze kanë nevojë për ndihmë ushqimore.
Programi Botëror i Ushqimit i Kombeve të Bashkuara (WFP) më 20 shkurt paralajmëroi se në Sudan, ku po ndodh kriza më e madhe e zhvendosjes në botë, të paktën 25 milionë njerëz luftojnë me urinë dhe kequshqyerjen në rritje për shkak të luftës civile që ka vazhduar për 10 muaj.
Sudani është përfshirë nga përleshjet midis ushtrisë sudaneze dhe Forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) që nga prilli i 2023-shit, duke lënë mijëra njerëz të vrarë.
Sipas OKB-së, më shumë se 13 mijë njerëz humbën jetën si pasojë e përleshjeve në Sudan, ku ndodhi kriza më e madhe e shpërnguljeve në botë. Të paktën 6 milionë njerëz u larguan në qytete të tjera brenda vendit ndërsa 1,7 milion njerëz u larguan në vendet përreth.