Ministri i Financave i ekstremit të djathtë të Izraelit, Bezalel Smotrich i bëri thirrje kryeministrit Benjamin Netanyahu, që të okupojë dhe aneksojë 10 për qind të Rripit të Gazës.
Sipas lajmit të "Yedioth Ahronoth", Smotrich, lideri i Partisë Sioniste Fetare të ekstremit të djathtë, në fjalimin që mbajti në mbledhjen e partisë, pohoi se Izraeli është në një udhëkryq.
"Ose Hamasi do të dorëzohet ose Izraeli", tha Smotrich, duke i bërë thirrje Netanyahut që t'i kthehen sulmeve si dhe të okupojë dhe aneksojë 10 për qind të Rripit të Gazës.
Ai theksoi se plani i presidentit amerikan Donald Trump për të zhvendosur me forcë palestinezët nga Rripi i Gazës duhet të zbatohet dhe se ata do ta sjellin këtë në mbledhjen e kabinetit të sigurisë.
Duke pretenduar se Izraeli, i cili ka mbështetjen e Trumpit, duhet të kërkojë të gjitha pengjet nga Hamasi dhe se nëse kjo nuk pranohet, duhet të fillojnë sulmet intensive, ai bëri thirrje që të ndërpritet ndihma humanitare.
Sipas lajmit të "The Jerusalem Post", edhe Itamar Ben-Gvir, lideri i partisë së ekstremit të djathtë Otzma Yehudit, u shpreh se e kishte të vështirë të shpjegonte sjelljen e kryeministrit izraelit Netanyahu.
Ben-Gvir tha se nëse Izraeli vazhdon sulmet e tij në Gaza dhe ndërpret ndihmën humanitare, ai do të kthehet në qeveri dhe e gjithë e djathta izraelite do të mbështesë Netanyahun.