Ministri Şimşek në Forumin Doha: Türkiye, bazë prodhimi me rëndësi globale             / Foto: AA

Ministri i Thesarit dhe Financave të Republikës së Türkiyes, Mehmet Şimşek, deklaroi se vendi i tij është shndërruar në një bazë globale të rëndësishme prodhimi dhe se ka ndërmarrë masa të plota për të përparuar në zinxhirin e vlerës. Ai shtoi se Türkiye ka dyfishuar pothuajse investimet në kërkime dhe zhvillim gjatë dhjetë viteve të fundit, raporton Anadolu.

Në kryeqytetin e Katarit, sot nisi Forumi Doha 2024, një aktivitet dyditor mbi temën “Nevoja për inovacione”, i cili mblodhi pjesëmarrës të shquar nga mbarë bota. Anadolu është partner global komunikimi në edicionin e 22-të të Forumit Doha.

Ministri turk, Şimşek, mori pjesë në panelin e titulluar “Konkurrueshmëria në epokën e ekonomive të zgjuara”. Ai theksoi se Türkiye ka realizuar investime të rëndësishme për t’u përgatitur për teknologjitë e inteligjencës artificiale.

“Kjo përfshin investime në infrastrukturën dixhitale, si linjat optike, qasjen në internet, abonimet në rrjete broadband, si dhe kapitalin njerëzor,” tha Şimşek.

Duke theksuar se Türkiye është mbi mesataren globale në zhvillim sipas Indeksit të Gatishmërisë për Inteligjencën Artificiale të FMN-së, i cili mbulon 174 shtete, Şimşek nënvizoi nevojën për më shumë investime në qendrat e të dhënave.

Ai kujtoi se Kombet e Bashkuara (OKB) kanë përgatitur një indeks të gatishmërisë për teknologjitë pioniere dhe vuri në dukje se Türkiye është ndër liderët në këtë drejtim.

“Sfida e vërtetë për ne është të ngjitemi më lart në zinxhirin e vlerës. Pra, nëse shihni dhjetë vitet e fundit, ne kemi dyfishuar pothuajse investimet në kërkime dhe zhvillim. Përqindja e kësaj shpenzimi në PBB është pak më shumë se 1,4 për qind dhe ende e ulët krahasuar me ekonomitë e zhvilluara. Më shumë se 50 për qind e shpenzimeve mbulohen nga sektori privat, por shteti gjithashtu ofron stimuj të mëdhenj,” tha Şimşek.

Ai shtoi se Türkiye ka më shumë se 1.300 qendra të kërkimeve dhe zhvillimit (R&D), mbi 300 qendra dizajni dhe mbi 100 teknoparkë.

“Këto janë disa nga shtysat e ekosistemit që do të na ndihmojnë të përparojmë në zinxhirin e vlerës dhe të mbetemi konkurrues. Çështja kyç për ne është digjitalizimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Sepse këtu ndodh ndarja në produktivitet. Kompanitë relativisht të mëdha ose ato të mesme janë shumë konkurruese. Por, duhet të rrisim konkurrencën në kompanitë më të vogla. Këtu aftësitë digjitale do të jenë vërtet të rëndësishme. Për këtë arsye, ne po krijojmë programe që do t’u ndihmojnë kompanive të vogla të rrisin produktivitetin përmes dixhitalizimit. Kjo është sfida më e rëndësishme për Türkiyen në të ardhmen,” përfundoi Şimşek.

TRT Balkan / agjencitë