Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha se e ka njoftuar Kryqin e Kuq se kishte filluar të gërmonte varre masive në spitalin Shifa pasi përpjekjet për të transportuar trupat dështuan.
Zëdhënësi i ministrisë Ashraf al-Qudra tha se përpjekjet për të transportuar trupat nga spitali kishin qenë të pasuksesshme.
“Për këto arsye, ekipet mjekësore dhe menaxhmenti i spitalit vendosën të hapin një varr masiv për t'i varrosur trupat në oborr. Ne e raportuam këtë në Kryqin e Kuq dhe filloi puna për gërmimin e varrezave masive”, shpjegoi Al-Qudra. Ai tha se ekipet, me ndihmën e vullnetarëve civilë, u përpoqën të përgatisin 100-120 trupa për varrim, ndërsa një ekip tjetër hapi një varr masiv.
Al-Qudra tha se funerali mund të zgjasë disa orë.
Ai theksoi se spitali aktualisht strehon 650 pacientë dhe të lënduar, 500 deri në 600 personel mjekësor dhe 5.000 deri në 7.000 refugjatë.
Al-Qudra tha se kushtet e jetesës në spital janë përkeqësuar dhe se për shkak të mungesës së energjisë elektrike dhe karburantit të nevojshëm për funksionimin e gjeneratorit, uji po merret manualisht nga puset në kampusin e spitalit në mënyrë të kufizuar.
Ai theksoi se nuk kanë furnizime ushqimore dhe kërkoi ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare dhe organizatave të të drejtave të njeriut që të punojnë në heqjen e bllokadës dhe sigurimin e karburanteve.
Zëdhënësi palestinez mohoi pretendimet e ushtrisë izraelite se kishte kontaktuar Spitalin Shifa për foshnjat e lindura para kohe.
“Nuk jemi kontaktuar për foshnjat e lindura para kohe. Ka 36 foshnja të lindura para kohe në spitalin Shifa”, tha Al-Qudra.
Duke theksuar se gjendja në spitalin e Al-Shifa është kritike dhe se qëndrimi i foshnjave në të rrezikon jetën e tyre, ai tha se janë të gatshëm që të evakuojnë foshnjat nga spitali në një vend tjetër.
Në një deklaratë me shkrim nga ushtria izraelite thuhet se Ushtria i kishte ofruar ndihmë humanitare drejtorit të spitalit Shifa dhe se ata po përpiqeshin të dërgonin një inkubator nga një spital izraelit në një spital në Gaza.
Është raportuar se ata janë të gatshëm të punojnë me një ndërmjetës të besueshëm për këtë çështje.
Drejtori i Spitalit Shifa, Muhammad Abu Silmiye, njoftoi sot se 20 persona, përfshirë gjashtë foshnja të lindura para kohe, vdiqën për shkak të ndërprerjeve të energjisë elektrike në spitalin Shifa në Gaza, i cili ishte i rrethuar nga ushtarë izraelitë.
Ushtria izraelite sulmon shpesh spitalet në Rripin e Gazës.