Fondacioni Amanah dhe Këshilli i Komunitetit Hebre Suedez, duke punuar së bashku me komunitetin mysliman dhe hebre në Suedi, bënë një deklaratë të përbashkët.
Fondacioni Amanah dhe Këshilli i Komunitetit Hebre Suedez pas djegies së Kuranit para ambasadës së Türkiyes në Stokholm, publikuan një deklaratë të përbashkët me titull "Po Demokracisë, jo Urrejtjes!".
"Është thellësisht shqetësuese që dëshmojmë edhe një herë veprime islamofobike të urrejtjes në rrugët e Suedisë. Edhe një herë u lejua që racistët dhe proekstremistët të abuzojnë me demokracinë dhe lirinë e shprehjes për të normalizuar urrejtjen duke djegur Kuranin, librin e një prej pakicave fetare në Suedi", thuhet në deklaratë.
Paragjykimet dhe aktet e urrejtjes janë të papranueshme
Në deklaratë më tej tërhiqet vërejtja se e kaluara e tyre "tragjike" tregon se djegia e librave në përgjithësi shënon fillimin e normalizimit të urrejtjes ndaj një grupi në shoqëri.
"E njëjta gjë është bërë në të kaluarën ndaj hebrenjve dhe ndërsa tani kundër myslimanëve. Mosshikimi i këtyre demonstrimeve të urrejtjes si shprehje kërcënimi dhe provokimi kundër grupeve etnike do të thotë të injorosh historinë", thuhet në deklaratë.
Duke iu referuar librit në vitin 1821 të shkrimtarit gjermano-hebre, Heinrich Heine, në deklaratë bëhet e ditur shprehja se "Ata që djegin librat në fund djegin edhe njerëzit".
Një nga hapat e parë të nazistëve në përpjekjet për të eliminuar kulturën hebreje në vitin 1933 është djegia e librave hebreje, theksohet në deklaratën ku bëhet e ditur se "Më pas e dimë të gjithë se çfarë ka ndodhur".
"Kemi shqetësim të thellë nga zhvillimet në Suedi. Sulmet ndaj pakicave të tilla si ato hebreje dhe myslimane janë rritur dhe normalizuar në vitet e fundit. Në një shoqëri demokratike çdo individ ka të drejtë të ndihet i sigurt dhe i vlerësuar. Ne dëshirojmë të potencojmë këtu mbështetjen tonë për Komunitetin Mysliman Suedez dhe ta bëjmë të qartë se çdo veprim, shenjë paragjykimi ose urrejtjeje është e papranueshme", thuhet në deklaratë.