Autoritetet gjermane kanë regjistruar të paktën 662 krime islamofobike në vitin 2021.
U sulmuan më shumë se 46 xhami dhe të paktën 17 persona u plagosën për shkak të dhunës antimyslimane.
Drejtori i projektit në grupin kundër diskriminimit, Inssan, Suleyman Demir tha se sulmet ndaj myslimanëve dhe xhamive kanë parë një rritje pas pandemisë së koronavirusit dhe situata është serioze pasi Gjermania po përballet me vështirësi ekonomike.
Duke folur Anadolu Agency, ai tha se statistikat janë rritur pa dyshim, veçanërisht për gratë që mbajnë shami.
“Ne po shohim gjithashtu gjithnjë e më shumë nga komuniteti ynë se jo vetëm burrat, por edhe gratë që mbajnë hixhab dhe nikab janë të ekspozuar ndaj sulmeve shumë më të mëdha fizike, si pështyrja, dhe kjo në fakt është rritur ndjeshëm vitet e fundit”, tha ai.
Autoritetet gjermane regjistruan 152 sulme islamofobike, ndërsa të paktën shtatë persona u plagosën në gjashtë muajt e parë të vitit 2022. Por, kjo mund të mos jetë e plotë, sepse shumë sulme nuk raportohen.
Demir, i cili drejton projektin “Rrjeti kundër diskriminimit dhe islamofobisë” në Inssan, tha se shumë myslimanë nuk raportojnë incidente në polici, duke menduar se ankesat e tyre nuk do të merren seriozisht.
“Ndonjëherë ata nuk ndihen të dëgjuar a të parë dhe kjo është arsyeja pse ata thonë: ‘Pse të raportohet, kur nuk do të ketë asnjë pasojë”, tha Demir.
Ai kërkoi trajnim më të mirë të ndjeshmërisë për policinë për të trajtuar krimet islamofobike.
“Policët nuk janë të trajnuar siç duhet. Për shembull, ata janë të trajnuar për transfobinë ose antisemitizmin, por nuk janë të trajnuar për trajtimin e krimeve antimyslimane”, tha ai, duke shtuar se shumë incidente të islamofobisë nuk janë regjistruar siç duhet nga policia në statistikat e krimit.
Demir paralajmëroi gjithashtu se grupet e ekstremit të djathtë po përpiqen të shfrytëzojnë krizat e vazhdueshme ekonomike dhe energjitike për të nxitur frikën dhe urrejtjen kundër pakicave dhe myslimanëve.
Portretizimi i “kokës së turkut” të pakicave
“Është e lehtë të portretizosh pakicat si “koka turku” (person ose grup personash që akuzohet/hen për gabimet e të tjerëve), pra si ‘koka turku’ për problemet politike a ekonomike, dhe grupet e ekstremit të djathtë e përdorin natyrshëm këtë metodë për të thënë se këto pakica duhet të fajësohen për krizën e madhe ekonomike. Prandaj, unë shoh një lidhje midis rritjes së ekstremizmit të krahut të djathtë dhe situatës ekonomike”, tha ai.
Demir tha se është e rëndësishme që myslimanët dhe pakicat të jenë më aktivë politikisht për të forcuar demokracinë dhe për të kundërshtuar ngritjen e së djathtës ekstreme.
“Këtu ka njerëz nga 180 deri në 200 kombe të ndryshme, kështu që supozoj se edhe myslimanët do të ndihen si në shtëpinë e tyre këtu, veçanërisht ata që kanë lindur këtu,” tha ai. “Ata do të marrin pjesë në vendimmarrjen demokratike dhe, natyrisht, do të formësojnë gjithashtu të ardhmen në Gjermani”.
Gjermania ka popullsinë e dytë më të madhe myslimane në Evropën Perëndimore, pas Francës, me një total prej më shumë se 84 milionë banorësh.
Në mesin e afro 5.5 milionë myslimanëve të vendit, 3 milionë janë me origjinë turke.