Berlusconi ishte shtruar në spital në San Raffaele të Milanos javën e kaluar për shkak të komplikimeve të lidhura me një leukemi kronike të panjohur më parë, njoftoi agjencia italiane e lajmeve ANSA.
Berlusconi drejtoi 4 herë si Kryeministër qeverinë italiane nga viti 1994 deri në 2011, themeloi dhe drejtoi ‘Forza Italia-n’, themelues i Mediaset dhe Fininvest, duke i hapur rrugën një perandorie televizive e financiare dhe pronar për 31 vjet i Milanit të madh me të cilin fitoi plot 29 trofe. Mesatarisht me një trofe në vit "Kavalieri" la gjurmë në futbollin italian dhe evropian. Viteve të fundit ai mori nën komandë klubin tjetër italian, Monzën, ekip i cili luan në elitën e futbollit.
I zgjedhur në parlament për 7 legjislatura, Silvio Berlusconi lindi më 29 shtator 1936. Jeta e tij si biznesmen miliarder dhe politikan ka qenë gjithnjë në syrin e publikut dhe medias, që në periudhën kur pasi kishte shitur fshesa me korrent për pak kohë themeloi një kompani ndërtimi.
Berlusconi vizitoi Shqipërinë kur ishte Kryeministër i Italisë në dy raste, në tetor të vitit 2022 dhe në dhjetor të vitit 2008. Berlusconi ishte kudo një fenomen dhe si i tillë mbylli sot sytë, i rrethuar nga njerëzit e tij më të dashur, duke lënë pas një trashëgimi që do të kujtohet gjatë.