Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) ka deklaruar se sulmi tokësor izraelit pengon dërgimin e ndihmave humanitare për 300 mijë palestinezë të zhvendosur në Rripin e Gazës.
Ushtria izraelite ka zgjeruar sulmet e saj ajrore dhe tokësore në territorin e bllokuar, që ka qenë nën sulme të pamëshirshme ajrore që nga sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor.
"Operacioni i vazhdueshëm tokësor izraelit në Gazën veriore po pengon dërgimin e ndihmave humanitare për rreth 300 mijë persona të zhvendosur", tha OCHA-ja.
Dje, Spitali i Miqësisë Turko-Palestinez, i vetmi spital publik për pacientët me kancer në Rripin e Gazës, doli jashtë shërbimit për shkak të sulmeve izraelite dhe mungesës së karburantit.
"Spitalit kryesor të kancerit të Gazës i mbaroi karburanti dhe u detyrua të ndalonte shërbimet e tij, duke rrezikuar jetën e 70 pacientëve me kancer", theksoi OCHA-ja.
Afër 10.600 njerëz janë vrarë në konfliktin e Gazës që nga 7 tetori, duke përfshirë të paktën 9.061 palestinezë dhe më shumë se 1.538 izraelitë.
Përveç numrit të madh të viktimave dhe zhvendosjes në masë të madhe të njerëzve, furnizimet bazë për 2,3 milionë banorët e Gazës po mbarojnë për shkak të rrethimit izraelit.