Në Kosovë hapet ekspozita "Bota kujton Srebrenicën". / Foto: AA

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) në bashkëpunim me Bashkësinë Islame të Bosnjë e Hercegovinës (BeH) kanë organizuar hapjen e ekspozitës me fotografi "Bota kujton Srebrenicën", në Prishtinë.

Dhjetëra fotografi dhe dokumente me rëndësi të masakrës dhe gjenocidit të vitit 1995 në BeH, ku mbi 8 mijë burra boshnjakë u vranë dhe u ekzekutuan, u shpalosën për të pranishmit.

Në këtë ekspozitë, ku morën pjesë përfaqësues fetarë të të dyja vendeve, ish-udhëheqës të institucioneve kosovare, politikanë dhe pjesëtarë të komunitetit boshnjak në Kosovë, u shfaqën fotografi që shfaqin trupa të pajetë, varre masive, fëmijë të uritur, takime dhe momente vendimtare rreth luftës në BeH.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, tha se pas një krimi të tillë qëndrojnë pushtetet me qëllimin për të shfarosur një etni të shtypur. Ai theksoi se në BeH ishte për qëllim spastrimi etnik dhe fetar i boshnjakëve, ashtu sikurse në Kosovë në vitet 1998-99.

Në emër të Bashkësisë Islame në BeH, Azra Efendiq-Eminoviq tha se ekspozita duhet të shfrytëzohet për të pasur dialog të hapur dhe mirëkuptim të ndërsjellë në mënyrë që të ndërtohet një shoqëri që i kundërshton të gjitha format e urrejtjes dhe padrejtësive.

Ajo u shprehu nderim të veçantë nënave të Srebrenicës për të cilat tha se janë "heroina të vërteta dhe mbesin frymëzim për të ardhmen".

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilia Rexhepi, tha se si pjesëtarë të komunitetit boshnjak në Kosovë, shprehin dhimbje të thellë për gjenocidin dhe gjithë atë që ka kaluar Bosnjë e Hercegovina. Ajo tha se gjenocidi në BeH i ndodhi një populli vetëm se ai i takonte një religjioni tjetër, apo vetëm pse nuk i kishin emrat Zoran dhe Dragan.

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) gjatë këtij viti miratoi një rezolutë për të caktuar 11 korrikun si "Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të vitit 1995 në Srebrenicë" me mbështetjen dërrmuese të Asamblesë së Përgjithshme. Edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës në korrik të këtij viti miratuan një rezolutë për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë.


TRT Balkan / agjencitë