Të paktën 44 palestinezë, përfshirë gra dhe fëmijë janë vrarë, ndërsa dhjetëra të tjerë janë plagosur si pasojë e bombardimeve nga avionët luftarakë izraelitë para armëpushimit humanitar të pritur në rajonet Khan Younis, Deir al-Balah dhe Jabalia në Rripin e Gazës.
Siç raporton agjencia zyrtare palestineze e lajmeve WAFA, të paktën 15 persona kanë humbur jetën dhe 25 të tjerë kryesisht gra dhe fëmijë janë plagosur në sulmin ajror të kryer ndaj një ndërtese në qytetin Hamad në perëndim të kampit të refugjatëve Khan Younis.
Ndërkohë 25 persona humbën jetën në bombardimin ndaj shtëpisë së familjes Abu Shammas në zonën Deir al-Balah në pjesën qendrore të Gazës. Thuhet se 20 persona kanë shpëtuar nga sulmet.
Ndërsa në sulmin ajror ndaj kampit të refugjatëve Jabalia në veri të Gazës kanë humbur jetën 5 persona, 3 prej të cilëve nga ekipi i kërkim-shpëtimit. Në po të njëjtën zonë është kryer sulm edhe ndaj një shtëpie tjetër.
Bëhet e ditur se të vrarët dhe të plagosurit u dërguan në spitalin "Dëshmorët e Aksa-së".