Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në Samitin e 75-të të NATO-s të mbajtur në Uashington të ShBA-së tha se si aleatë, ata "kanë kthyer një gur themeli të rëndësishëm" dhe se "janë hedhur themelet e nevojshme" që Ukraina të jetë fitimtare ndaj Rusisë.
Stoltenberg mbajti një konferencë për media në ditën e fundit të samitit të krerëve të shteteve dhe qeverive të NATO-s të mbajtur në Uashington.
Duke deklaruar se Ukraina kaloi një periudhë të vështirë dimri dhe pranvere për shkak të vonesave në ofrimin e mbështetjes ushtarake, Stoltenberg tha: "Por, ne nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë përsëri. Në këtë samit ne po kthejmë një gur themeli të rëndësishëm dhe po hedhim themelet e nevojshme që Ukraina të jetë fitimtare".
Stoltenberg tha se aleatët e NATO-s kanë marrë angazhime ndaj Ukrainës në lidhje me ndihmën ushtarake, trajnimin dhe mbështetjen financiare, përfshirë sistemet kritike të mbrojtjes ajrore. "Duam t'i përcjellim Moskës një mesazh të fortë uniteti se dhuna dhe frikësimi nuk do të funksionojnë dhe se Ukraina mund t'i besojë NATO-s tani dhe në terma afatgjatë", tha ai.
Pasi bëri të ditur se gjatë takimeve të NATO-s, u mbajtën takime dhe me partnerët në Paqësor, Stoltenberg tha: "Ne jemi në të njëjtin mendim se Kina nuk mund të vazhdojë të nxisë konfliktin më të madh ushtarak në Evropë pa prekur interesat dhe reputacionin e Pekinit".
Ai vuri në dukje se, përveç Kinës edhe Irani dhe Koreja e Veriut mbështesin Rusinë në Ukrainë me mjete ajrore pa pilot, municion dhe më shumë. "Kjo në mënyrë të qartë tregon se ajo që ndodh në Evropë është e rëndësishme për Azinë dhe ajo që ndodh në Azi është e rëndësishme për Evropën. Për këtë arsye ne duhet të qëndrojmë së bashku për të ndarë sigurinë dhe interesat dhe për të mbrojtur vlerat tona të përbashkëta në botën shumë të rrezikshme", tha kreu i NATO-s.
Në deklaratën me shkrim pas mbledhjes së Këshillit NATO-Ukrainë të mbajtur në nivel të krerëve të shteteve dhe qeverive para konferencës për media, u përsërit mbështetja e aleatëve të NATO-s për Ukrainën dhe theksua se Rusia ishte tërësisht përgjegjëse për luftën në Ukrainë.
"Një Ukrainë e fortë, e pavarur dhe demokratike brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht është me rëndësi jetike për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit euroatlantik. Lufta e Ukrainës për pavarësi, sovranitet dhe integritet territorial kontribuon drejtpërdrejt në sigurinë euro-atlantike", thuhet në deklaratë.