Ministritë izraelite janë udhëzuar të përgatiten për mbërritjen e pengjeve të mbajtura në Gaza si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme shkëmbimi me Hamasin, raportuan të hënën mbrëma mediat izraelite.
“Nëse marrëveshja miratohet, pengjet pritet të mbërrijnë në Izrael në ditët në vijim,” tha transmetuesi publik izraelit KAN.
KAN-i raportoi se zyrtarë ushtarakë izraelitë u takuan me zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë “për t’i përgatitur spitalet për pritjen e mundshme të pengjeve.”
Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga Hamasi lidhur me raportin.
Të hënën herët, Ministri i Jashtëm i Izraelit Gideon Sa’ar tha se është bërë përparim i rëndësishëm në negociatat indirekte me Hamasin për një marrëveshje shkëmbimi të burgosurish.
“Ka përparim, thashë se duket shumë më mirë se më parë,” tha Sa’ar në një konferencë të përbashkët shtypi në Jerusalem me homologun e tij danez, Lars Løkke Rasmussen. “Së shpejti do të dimë nëse pala tjetër dëshiron të njëjtën gjë,” shtoi ai, pa dhënë një afat kohor për arritjen e marrëveshjes.
Faqja izraelite e lajmeve Walla, duke cituar dy zyrtarë izraelitë të paemëruar dhe një burim të huaj, raportoi se Izraeli dhe ndërmjetësuesit kanë arritur një marrëveshje mbi një draft marrëveshjeje për lirimin e të kapurve në Gaza dhe një armëpushim në enklavë, e cila i është paraqitur Hamasit.
Izraeli aktualisht mban më shumë se 10.300 të burgosur palestinezë, ndërsa vlerësohet se 99 izraelitë po mbahen në Gaza. Hamasi tha se shumë pengje izraelite janë vrarë në sulmet ajrore pa dallim të Izraelit.
Bisedimet për shkëmbimin e të burgosurve dhe armëpushimin, të ndërmjetësuara nga Katari, Egjipti dhe ShBA-ja, janë ndërprerë disa herë për shkak të kushteve të reja të vendosura nga Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.
Opozita izraelite dhe familjet e pengjeve e akuzojnë Netanyahun për pengimin e përpjekjeve për të arritur një marrëveshje armëpushimi në Gaza dhe shkëmbim të burgosurish me Hamasin.