Nesër në Türkiye sillet trupi i Ayşenur Eygit, e vrarë nga izraelitët / Photo: AA

Ministria e Jashtme e Türkiyes tha se planifikohet që nesër në Türkiye të sillet trupi i Ayşenur Ezgi Eygit, që u vra nga ushtarët izraelitë në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Në deklaratën me shkrim nga Ministria thuhet se sot kanë përfunduar procedurat nga Ambasada Turke në Tel Aviv dhe Konsullata e Përgjithshme në Kuds për transferimin e trupit të shtetases turke Eygi në Türkiye, e cila u shënjestrua dhe u vra në mënyrë të qëllimshme nga ushtarët izraelitë gjatë protestës paqësore në Bregun Perëndimor të pushtuar.

"Trupi i së ndjerës pritet të mbërrijë nesër në vendin tonë", thuhet në deklaratën ku shprehet mëshira e Zotit mbi Eygin që humbi jetën dhe në të cilën shprehen ngushëllime për të afërmit e saj.

"Ne e dënojmë edhe një herë këtë vrasje të kryer nga qeveria gjenocidale e Netanyahut. Ne do të bëjmë çdo përpjekje për të siguruar që ky krim të mos mbetet i pandëshkuar", thuhet në deklaratë.

Sipas informacionit që ka siguruar gazetari i AA-së, ambasada e Türkiyes në Tel Aviv ka përfunduar procedurat për transportimin e trupit në destinacionin Tel Aviv-Baku-Istanbul.

Planifikohet që trupi të niset në mbrëmje, në orën 23:45 sipas kohës lokale nga aeroporti "Ben Gurion" drejt Bakusë, dhe nesër me avionin e Turkish Airlines të dërgohet në Istanbul në orën 08:35.

Sipas informacioneve të marra nga burime diplomatike, procedurat e varrimit pritet të bëhen në qytezën Didim në Aydin.

Vrasja e aktivistes Ayşenur Ezgi Eygi nga ushtarët izraelitë

Ushtarët izraelitë hapën zjarr ndaj pjesëmarrësve gjatë një proteste paqësore në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Eygi, e cila ka nënshtetësi amerikane dhe që mori pjesë në protestën në mbështetje të palestinezëve, u qëllua në kokë dhe u plagos rëndë.

Pasi u dërgua në një spital palestinez, Eygi nuk mundi të shpëtohej nga të gjitha ndërhyrjet.

Eygi ishte aktiviste vullnetare për të drejtat e njeriut në Lëvizjen Ndërkombëtare të Solidaritetit që mbështet palestinezët përmes metodave paqësore dhe civile kundër pushtimit të tokave palestineze nga Izraeli.

Të njëjtës lëvizje i përkiste edhe shtetasja amerikane Rachel Corrie, e cila u shtyp për vdekje nga një buldozer izraelit në vitin 2003.

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan dënoi vrasjen e Eygit dhe deklaroi se ata do të vazhdojnë të bëjnë përpjekje në çdo platformë për ta bërë Izraelin përgjegjës para ligjit për krimet e tij kundër njerëzimit.

AA