Netanyahu: Izraeli konsideron dëbimin e liderëve të Hamasit nga Gaza / Photo: AA

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se qeveria e tij po konsideron dëbimin e liderëve të Hamasit nga Rripi i Gazës pas përfundimit të luftës, me kushtin që Lëvizja të "dorëzohet" fillimisht.

“Ideja e dëbimit është aty. Mund ta diskutojmë gjithmonë. Por, unë mendoj se gjëja më e rëndësishme është dorëzimi i (Hamasit)”, tha Netanyahu në një podcast të transmetuar nga gazetari amerikano-hebre Dan Senor të dielën në mbrëmje, sipas transmetuesit publik të Izraelit.

Ai përsëriti refuzimin e tij për çdo prani të vazhdueshme të liderëve të Hamasit në Rripin e Gazës pas përfundimit të luftës, duke shpresuar se banorët vendas që nuk i përkasin Hamasit, së bashku me zyrtarët nga rajoni, do të sundojnë Rripin.

“Kjo luftë mund të përfundojë nesër nëse Hamasi dorëzon armët, dorëzohet dhe kthen pengjet”, tha ai dhe shtoi se "është në dorën e tyre”.

Kur u pyet për kritikat e çështjes së pengjeve dhe se ata nuk ishin prioriteti i parë, ai tha se kërkesat e Hamasit janë të papranueshme dhe se ShBA-ja gjithashtu ka thënë se nuk ka marrëveshje për shkak të Hamasit.

Zgjedhja e fundit e Netanyahut për të dëbuar Hamasin, vjen pasi ushtria izraelite nuk i ka arritur ende objektivat e saj në luftën e saj të vazhdueshme në Rripin e Gazës, që është eliminimi i lëvizjes dhe kthimi i pengjeve.

Më shumë se 35.000 palestinezë janë vrarë dhe mbi 78.000 të tjerë janë plagosur në një sulm brutal izraelit në Rripin e Gazës që nga sulmi i grupit palestinez Hamas më 7 tetor të vitit të kaluar që vrau afro 1.200 njerëz.

Më shumë se shtatë muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë në rrënoja mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Në një vendim të përkohshëm në janar, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GjND) me bazë në Hagë, tha se është "e besueshme" që Tel Avivi po kryen gjenocid në Gaza, duke e urdhëruar atë të ndalojë akte të tilla dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në enklavë.

AA