Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se ishte gati për një armëpushim "të përkohshëm" që do të mundësojë shkëmbimin e pengjeve në Gaza, por se ai nuk do të pranojë një marrëveshje që do t'u jepte plotësisht fund sulmeve.
Duke folur për "Channel 14" që transmeton në Izrael, Netanyahu foli lidhur me armëpushimin e arritur në Liban me ndërmjetësimin e ShBA-së dhe Francës, si dhe për marrëveshjen e mundshme të shkëmbimit të pengjeve dhe armëpushimit në Gaza, ku ata kanë kryer sulme që nga 7 tetori.
Ai tha se nuk do të pranojë një marrëveshje që do t'u jepte fund sulmeve në Gaza, por se vetëm mund t'i "pauzojnë" sulmet. "Unë jam gati për një armëpushim në Gaza kur ne të mendojmë se mund të sigurojmë lirimin e pengjeve", deklaroi Netanyahu i cili pretendon se kushtet për një marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve me Hamasin janë përmirësuar ndjeshëm.
Sipas tij, kushtet në Liban janë të ndryshme nga ato në Gaza. Netanyahu thotë se Izraeli po përpiqet ta "eliminojë" Hamasin, por ta pengojë Hezbollahun të riarmatoset.
- Netanyahu: Armëpushimi në Liban "mund të jetë i shkurtër"
Duke iu referuar armëpushimit të arritur në Liban me ndërmjetësimin e ShBA-së dhe Francës, Netanyahu mbrojti idenë se ata e pranuan atë me arsyetimin se "ia arritën plotësisht atë që kishin synuar".
Ai pretendon se armëpushimi në Liban "mund të jetë jetëshkurtër". Netanyahu tha se ai udhëzoi ushtrinë izraelite të përgatitej për sulme të "ashpra" nëse Hezbollahu shkel armëpushimin.
"Unë e kam udhëzuar ushtrinë izraelite të përgatitet për një luftë të ashpër në rast të shkeljes së rëndë të marrëveshjes", deklaroi Netanyahu.
- "Trump tha se nuk do të ketë vonesa në dërgesat e armëve"
Lidhur me çështjen e dërgesave të armëve nga ShBA-ja në Izrael, Netanyahu tha se Donald Trump, i cili u zgjodh presidenti i 47-të i ShBA-së, i ka thënë atij se do të përfundojnë vonesat në dërgesat për Izraelin. "Presidenti Trump më tha me një gjuhë të prerë se nuk do të ketë vonesë për asnjë (dërgesë) të armëve", tha ai.
Kryeministri izraelit i cili ndau një video më 18 qershor në të cilën ai akuzon ShBA-në se refuzon të dërgojë armë në vendin e tij, dje në takimin e qeverisë mbrojti idenë se kishte "rënie të theksuar" në ndihmat e ShBA-së me armë.
ShBA-ja vazhdon dërgimin e armëve, ndërkohë që ofron mbështetje të plotë politike dhe ushtarake për Izraelin, i cili vazhdon sulmet kundër Rripit të Gazës që nga 7 tetori 2023.