Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, pretendon se sulmi të cilin kanë planifikuar të kryejnë ndaj qytetit Rafah në jug të Gazës do të zgjidhë shumë çështje.
Sipas lajmit të televizionit shtetëror izraelit KAN, Netanyahu mori pjesë në një shfaqje ajrore ushtarake në afërsi të kufirit të Gazës.
"Operacioni në Rafah do të zgjidhë shumë çështje. Kjo nuk do të jetë e kufizuar vetëm me mposhtjen e brigadave të mbetura (të Hamasit), por në të njëjtën kohë do të përfshijë edhe tunelet që përdorin për t'u larguar dhe për përforcime", tha Netanyahu.
Më tej, Netanyahu mbrojti idenë e tij se aktualisht dëshmojnë një luftë të rëndësishme dhe se kur kjo të përfundojë do të jenë më pranë fitores kundër armikut.
Në përgjigje të pyetjes nëse mendon ose jo të japë dorëheqje për shkak se nuk mund të parashikonte sulmin e Hamasit më 7 tetor, Netanyahu tha se, "Një çështje lidhur me dështimin ka të bëjë me çdo anëtar të qeverisë, duke përfshirë edhe mua, por tani fokusi ynë i vetëm është fitorja. Qindra nga ushtarët tanë për këtë arsye kanë humbur jetën. Luftuan që ne të fitonim".
Më 6 maj, ushtria izraelite kërkoi evakuimin e disa lagjeve në lindje të qytetit Rafah ku janë strehuar palestinezët e zhvendosur me forcë, ndërsa në mëngjesin e 7 majit filloi sulm tokësor në Rafah dhe njoftoi marrjen nën kontroll të pikës kufitare me Egjiptin në anën e Gazës.