Netanyahu përgatitet të armatosë mijëra izraelitë / Foto: AA

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu në mbledhjen e parë të kabinetit që zhvilloi pas sulmit ku humbën jetën 7 izraelitë në Kudsin Lindor nën pushtim tha se do të ndërmarrin disa hapa për lehtësimin e armatosjes së mijëra izraelitëve. Sipas një deklarate nga Zyra për media e qeverisë izraelite, Netanyahu ka dhënë informacion rreth hapave që qeveria e tij do të ndërmarrë pas humbjes së jetëve të 7 izraelitëve në vendbanimet e paligjshme hebreje që ndodhen në Kudsin Lindor nën pushtim. "Në seancën e djeshme të Kabinetit të Sigurisë u miratua vendimi për përforcimin e forcave të sigurisë dhe vendosjen e sanksioneve të rënda ndaj agresorëve dhe mbështetësve të tyre", tha Netanyahu i cili shtoi se "Do të përshpejtojmë procesin i cili do të sigurojë dhënien e lejes për armë për mijëra izraelitë, përfshirë edhe ata që ofrojnë shërbime të urgjencës". Netanyahu tha se ofruesi vullnetar i kujdesit shëndetësor ZAKA në Izrael ka 3.000 vullnetarë të lëvizshëm dhe se këto mund të armatosen. Ai theksoi se së shpejti do të marrin vendime të reja për "forcimin" e njësive të vendbanimeve të paligjshme hebreje që ndodhen në Bregun Perëndimor nën pushtim. Sulmi i Izraelit në Jenin përshkallëzoi tensionet Ushtria izraelite në bastisjet e saj më 26 janar në kampin e refugjatëve Jenin në veri të Bregut Perëndimor nën pushtim, vrau 9 palestinezë, përfshirë një grua të moshës 60-vjeçare. Në ngjarjet e shënuara në rajon pas bastisjeve, humbi jetën edhe një palestinez 22-vjeç në zonën Er-Ram të Kudsit Lindor nën pushtim. Më 27 janar humbën jetën 7 persona dhe u plagosën 3 të tjerë në një sulm me armë në njësinë e vendbanimeve të paligjshme hebreje që ndodhet në Kudsin Lindor nën pushtim. Policia izraelite ndoqi agresorin që u largua nga vendi i ngjarjes me një automjet dhe më pas deklaroi se ai u neutralizua pas një konflikti të armatosur. Edhe dje u plagosën 2 izraelitë, njëri prej tyre rëndë në sulmin me armë që u krye në lagjen Silwan në afërsi të zonës së Qytetit të Vjetër të Kudsit Lindor. Policia izraelite njoftoi se agresori u neutralizua. Humbjet e jetëve që u përjetuan në rajon u pasuan nga dhuna e kolonëve hebrenj kundër palestinezëve. Në pika të ndryshme të Kudsit Lindor dhe Bregut Perëndimor nën pushtim, ndodhën shumë incidente ku kolonët hebrenj sulmuan pronat dhe automjetet e palestinezëve. Që nga fillimi i vitit 2023 e deri më tani në Kudsin Lindor dhe Bregun Perëndimor nën pushtim, si pasojë e zjarrit të hapur nga forcat izraelite janë vrarë më shumë se 30 palestinezë, përfshirë gra dhe fëmijë.

AA