Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se sulmet ndaj Rripit të Gazës mund të vazhdojnë edhe në vitin 2025.
Sipas lajmit të televizionit izraelit Channel 12, Netanyahu bëri disa vlerësime në takimin ku morën pjesë zyrtarë të lartë të sigurisë, si dhe zyrtarë lokalë në Beersheba, në afërsi të Rripit të Gazës.
Theksohet se në takim Netanyahu u ka thënë zyrtarëve se "sipas vlerësimit aktual, sulmet e Izraelit ndaj Gazës mund të vazhdojnë edhe vitin e ardhshëm".
Në anën tjetër, edhe zyrtarët i kanë përcjellë Netanyahut se shumica e izraelitëve që janë larguar nga rajoni për shkak të sulmeve me raketa dhe shqetësimeve të tjera të sigurisë që vazhdojnë nga Gaza, nuk duan të kthehen në rajonet kufitare.
Ndërsa, sipas një raportimi tjetër, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite, Herzi Halevi, në një takim privat me Netanyahun dhe ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, ka deklaruar se "përfitimet e arritura si rezultat i sulmeve që kanë zgjatur prej më shumë se 3 muajsh në Gaza, mund të humbasin për shkak të mungesës së një plani për menaxhimin dhe sigurinë e rajonit".
Më tej, në raportim Halevi citohet të ketë thënë se "jemi përballë me pësimin e një erozioni ndaj përfitimeve të arritura deri më tani në luftë, sepse nuk është krijuar asnjë strategji për të nesërmen".
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari, në një deklaratë më 1 janar tha se presin që sulmet ndaj Gazës të vazhdojnë përgjatë vitit 2024.
Hagari njoftoi se që nga java e parë e vitit, disa ushtarë rezervë do të largohen nga Gaza për të "siguruar mundësi që të fitojnë sërish energji para operacioneve të ardhshme".