Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se Izraeli do të vendosë vetë se si t’i përgjigjet sulmit iranian të fundjavës.
Gjatë një takimi të kabinetit qeveritar izraelit, Netanyahu falënderoi “miqtë për mbështetjen e mbrojtjes së Izraelit, mbështetjen si me fjalë, ashtu edhe me vepra”.
“Ata gjithashtu kanë të gjitha llojet e sugjerimeve dhe këshillave. Unë i vlerësoj ato, por dua ta bëj të qartë se ne do të marrim vendimet tona dhe shteti i Izraelit do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur veten”, tha Netanyahu.
Deklaratat e kryeministrit izraelit duket se hedhin poshtë presionin ndërkombëtar mbi qeverinë e tij për të shmangur përgjigjen ushtarake ndaj sulmit iranian.
Sot herët, kryeministri izraelit u takua me sekretarin e jashtëm britanik David Cameron dhe ministren e jashtme gjermane Annalena Baerbock.
Sipas një njoftimi të lëshuar nga zyra e tij, Netanyahu gjatë takimit përsëriti se Izraeli do të mbrojë të drejtën e tij për vetëmbrojtje.
Të shtunën, Irani nisi një sulm me dron dhe raketa ndaj Izraelit, për të cilin Teherani tha se ishte në përgjigje të sulmit të 1 prillit në konsullatën iraniane në Siri ku u vranë të paktën 13 persona, duke përfshirë shtatë këshilltarë ushtarakë.