Neutralizohet një terrorist i lartë i PKK-së në veri të Irakut.   / Foto: AA

Agjencia Kombëtare e Inteligjencës (MIT) e Türkiyes, në një operacion në Gara në veri të Irakut, neutralizoi terroristin Emre Şahin, me emrin e koduar Rodi, i ashtuquajtur përgjegjës i komunikimit i PKK/KCK-së.

Sipas informacionit të marrë nga burime të sigurisë, MIT-i zbuloi se Şahin, i cili ka shkruar programet e përdorura në sistemin e komunikimit të organizatës terroriste, kishte kaluar në Gara në veri të Irakut. Theksohet se Şahin, i cili krijoi infrastrukturën e komunikimit të organizatës dhe ishte përgjegjës për funksionimin e saj, po punonte për metodat sekrete të komunikimit të organizatës nën drejtimin e Murat Karayılanit. Gjatë operacionit, Şahin u neutralizua së bashku me truprojën e tij.

Operacioni i dha një goditje të konsiderueshme infrastrukturës së komunikimit të organizatës terroriste.

Metoda të kodifikuara të komunikimit

Thuhet se terroristi, që vepronte në kuadër të të ashtuquajturës forcë speciale të PKK/KCK-së dhe ishte përgjegjës për infrastrukturën e komunikimit, iu bashkua kuadrove rurale të organizatës në vitin 2014.

Şahin ka marrë pjesë në aksione të ndryshme kundër forcave të sigurisë turke në periferinë e qytetit Şırnak, ndërsa në vitin 2019 ka kaluar në Irak.

Është konstatuar se terroristi, i cili kryente aktivitete të prodhimit të detonatorëve dhe lëndëve shpërthyese në veri të Irakut, ka zhvilluar metoda komunikimi të koduara të përdorura nga anëtarët e organizatës që nga viti 2020 dhe ishte përgjegjës i njësisë së hakerëve.

TRT Balkan / agjencitë