Një minutë heshtje për viktimat e tërmeteve në Türkiye-Siri në Samitin G20.     

Kryeministri indian Narendra Modi ka thënë se institucionet shumëpalëshe kanë dështuar të përmbushin sfidat më të ngutshme të botës gjatë hapjes së takimit të ministrave të Jashtëm të G20 në Nju Delhi.

Takimi i së enjtes i Samitit G20 në Nju Delhi filloi me një minutë heshtje për të nderuar viktimat e tërmeteve shkatërruese të 6 shkurtit në Türkiye dhe në Sirinë fqinje, ku humbën jetën 50.800 njerëz.

"Ne të gjithë duhet të pranojmë se multilateralizmi është në krizë sot”, tha Modi në një deklaratë hyrëse të regjistruar.

“Përvoja e viteve të fundit – kriza financiare, ndryshimet klimatike, pandemia, terrorizmi dhe luftërat – tregon qartë se qeverisja globale ka dështuar”.

Ndërsa India ndan shqetësimet perëndimore për Kinën, ajo është gjithashtu një blerës i madh i armëve ruse dhe ka rritur importet e naftës ruse.

India nuk e ka dënuar luftën e Ukrainës, megjithëse Modi i tha Putinit vitin e kaluar se kjo "nuk ishte një kohë për luftë" në komentet që shiheshin si një qortim për Moskën.

Modi u kërkoi delegatëve të G20 që ta bënin takimin të suksesshëm, duke pranuar në heshtje ndarjet e thella të bllokut mbi konfliktin.

"Ne nuk duhet të lejojmë që çështjet që nuk mund t'i zgjidhim së bashku të na pengojnë ato që mundemi," tha ai.

Lufta e Ukrainës

Mbledhja e G20 ka sjellë Sekretarin e Shtetit të ShBA Antony Blinken dhe Ministrin e Jashtëm rus Sergey Llavrov në të njëjtën dhomë për herë të parë që nga korriku, por dy burrat nuk kishin gjasa të zhvillonin bisedime.

Delegatët perëndimorë kanë frikë se Kina po shqyrton furnizimin me armë për aleatin e saj rus dhe ata do të përdorin samitin e ministrave të Jashtëm për të dekurajuar Pekinin nga ndërhyrja në konflikt.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se ishte i bindur se India do ta përdorte takimin për ta "bërë Rusinë të kuptojë se kjo luftë duhet të përfundojë".

"Sigurisht që suksesi i takimit të sotëm do të matet në lidhje me atë që ne do të jemi në gjendje të bëjmë për këtë”, u tha ai gazetarëve të mërkurën.

Borrell do të takohet në margjinat e samitit të Nju Delhit me Ministrin e Jashtëm kinez Qin Gang ku do të kërkojë garanci se Pekini nuk do t'i japë mbështetje përpjekjeve luftarake të Rusisë.

"Deri më tani përgjigjja është thënë qartë nga Kina, 'nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë', por ne duhet të jemi vigjilentë”, tha një zyrtar i lartë i BE-së me njohuri për këtë çështje.

Agjencia shtetërore kineze e lajmeve Xinhua javën e kaluar citoi kryediplomatin Wang Yi të thoshte se Pekini ishte i gatshëm të "forconte koordinimin strategjik" me Rusinë pas takimit me Llavrov dhe Presidentin Vlladimir Putin në Moskë.

TRT Balkan / agjencitë