Norvegjia ka vendosur të njohë Palestinën si shtet, tha të mërkurën kryeministri Jonas Gahr Store.
“Qeveria norvegjeze ka vendosur që Norvegjia ta njohë Palestinën si shtet”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Norvegjisë.
“Në mes të një lufte, me dhjetëra mijëra të vrarë dhe të plagosur, ne duhet të mbajmë gjallë alternativën e vetme që ofron një zgjidhje politike për izraelitët dhe palestinezët njësoj: Dy shtete, që jetojnë krah për krah, në paqe dhe siguri”, shtoi Store. .
“Njohja zyrtare e Norvegjisë e Palestinës si shtet do të hyjë në fuqi të martën më 28 maj 2024”, thuhet në deklaratë.
Kreu i qeverisë norvegjeze tha se nuk do të ketë paqe në Lindjen e Mesme pa një zgjidhje me dy shtete. “Nuk mund të ketë zgjidhje me dy shtete pa një shtet palestinez. Me fjalë të tjera, një shtet palestinez është një parakusht për arritjen e paqes në Lindjen e Mesme”, tha Store.