Numri i të vdekurve në Gaza kalon 34.000 në mes të sulmeve të vazhdueshme / Photo: AA

Numri i të vdekurve palestinezë nga ofensiva e vazhdueshme e Izraelit në Rripin e Gazës që nga tetori i kaluar ka arritur në 34.012 persona, tha të premten Ministria e Shëndetësisë e Gazës.

Tashmë në muajin e 7-të, nga sulmet ngelen të plagosur të paktën 76.833 persona të tjerë, shtuan nga Ministria e Shëndetëisë në deklaratë. “Të paktën 42 persona u vranë dhe 63 të tjerë u plagosën në sulmet izraelite në 24 orët e fundit”, tha ministria.

"Shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja dhe në rrugë dhe shpëtimtarët nuk janë në gjendje të arrijnë deri tek ta," shtuan nga Ministria.

Izraeli ka zhvilluar një ofensivë vdekjeprurëse në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i Hamasit më 7 tetor, i cili vrau afro 1.200 njerëz.

Izraeli gjithashtu ka vendosur një bllokadë në enklavën palestineze, duke e lënë popullsinë e saj, veçanërisht banorët e Gazës veriore, në prag të urisë.

Sipas OKB-së, lufta izraelite ka shtyrë 85% të popullsisë së Gazës në zhvendosje të brendshme mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa mbi 60% e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Një vendim i përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

AA