OBI-ja pas zbulimit të varrit masiv: Provë e një krimi lufte / Photo: AA

Pas gjetjes së një varri masiv në oborrin e Kompleksit Mjekësor "Nasser" në qytetin Khan Younis në jug të Gazës, Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI) ka dënuar "masakrat e tmerrshme" ndaj palestinezëve nga Izraeli.

Në një deklaratë, OBI-ja u shppreh se zbulimi është një tregues se "qindra të zhvendosur, të lënduar dhe të sëmurë, si dhe autokolona mjekësore, iu nënshtruan formave të torturës dhe abuzimit përpara se të ekzekutoheshin dhe varroseshin masivisht".

Gjithashtu, OBI-ja tha se e konsideron varrin masiv si provë të një "krimi lufte, një krim kundër njerëzimit dhe terrorizmit të organizuar shtetëror", duke shtuar se një vrasje masive e tillë "kërkon hetim, përgjegjësi dhe sanksion sipas ligjit penal ndërkombëtar".

"OBI-ja përsërit thirrjen e saj ndaj bashkësisë ndërkombëtare, veçanërisht Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për nevojën për të ndaluar krimet e luftës të kryera nga pushtuesi izraelit në Rripin e Gazës dhe për të ofruar mbrojtje ndërkombëtare për popullin palestinez", thuhet në deklaratë.

Sipas agjencisë së Mbrojtjes Civile të Gazës, të paktën 283 trupa janë nxjerrë deri më tani nga varri masiv në Kompleksin Mjekësor "Nasser" pasi ushtria izraelite u tërhoq nga qyteti më 7 prill pas një ofensive tokësore katërmujore.

TRT Balkan / agjencitë