Koordinatori i ekipeve shëndetësore emergjente të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) në Gaza, Sean Casey, lidhur me pretendimin e Izraelit se "spitalet janë baza (seli) të Hamasit" tha se nuk ka parë prova se spitalet janë përdorur për ndonjë qëllim tjetër.
I pyetur nga Anadolu lidhur me këtë çështje, Casey u përgjigj se ai vetë nuk është ekspert ligjor apo avokat.
"Por, di që sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare, komplekset shëndetësore, punonjësit e shëndetësisë dhe të sëmurët duhet të mbrohen dhe aktualisht të sëmurët dhe punonjësit e shëndetësisë detyrohen të largohen nga spitalet", tha Casey.
Duke theksuar se kur ka vizituar Spitalin Al-Shifa ka parë se mijëra njerëz ishin strehuar këtu, Casey tha se nuk ka mundur të hyjë në sallën e operacionit për shkak të njerëzve të zhvendosur.
"Nuk kam parë ndonjë provë që spitalet në Gaza janë përdorur për ndonjë qëllim tjetër", tha Casey, i cili shpjegoi se gjatë vizitave të tij në spital ka biseduar përgjithësisht me punonjës të shëndetësisë dhe të sëmurë dhe se është përpjekur të kuptojë nevojat e tyre.
Pasi theksoi se nuk është pjesë e detyrës së tij të përcaktojë këtë dhe se detyra e tij kryesore është të ofrojë shërbim shëndetësor, Casey tha se, "Po përpiqemi të sigurojmë që spitalet të ofrojnë shërbime shëndetësore themelore".
Situatën në spitale zyrtari i OBSh-së e cilësoi si "shumë të tmerrshme". Ai tha se ai është përpjekur të bashkojë ekipet shëndetësore të emergjencës.
Duke përmbledhur nevojën më themelore në Gaza si "paqe dhe siguri" së bashku me armëpushimin, Casey tha: "Jam dëshmitar i rrënimit të sistemit shëndetësor para syve të mi".