Përdorimi i tepërt i antibiotikëve po dëmton në mënyrë të rrezikshme efektivitetin e tyre dhe po rrit rezistencën që mund të jetë përgjegjëse për 10 milionë vdekje në vit në mbarë botën deri në vitin 2050, paralajmëroi të enjten Organizata Botërore të Shëndetësisë (OBSh).
"Zhvillimi dhe përhapja e superbaktereve është përshpejtuar nga keqpërdorimi i barnave antimikrobike, gjë që e bën të vështirë trajtimin efektiv të infeksioneve", tha në një deklaratë OBSh-ja në Evropë, e cila përfshin 53 vende dhe shtrihet në Azinë Qendrore.
"Të gjitha vendet në rajonin tonë kanë rregullore që mbrojnë kundër keqpërdorimit të antibiotikëve... Zbatimi i këtyre rregulloreve do të zgjidhte shumicën e problemeve të keqpërdorimit të antibiotikëve," tha gjithashtu Robb Butler, kreu i departamentit të sëmundjeve infektive.
Organizata e OKB-së vlerëson se, pa ndërhyrje të menjëhershme, rezistenca ndaj antibiotikëve mund të shkaktojë deri në 10 milionë vdekje në vit deri në vitin 2050.
Hulumtimet e kryera në 14 vende të rajonit, të vendosura në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, tregojnë se arsyet e përmendura si justifikim për marrjen e antibiotikëve në 24 për qind të rasteve janë ftohja e ndjekur nga simptomat e gripit (16 për qind), dhimbjet e fytit (21 për qind) dhe kollë (18 për qind).
Një burim i madh shqetësimi për autoritetet shëndetësore janë edhe recetat.
Sipas raportit, një e treta e njerëzve në Bosnjë dhe Herecgovinë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Türkiye, Armeni, Azerbajxhan, Bjellorusi, Gjeorgji, Kazakistan, Kirgistan, Moldavi, Taxhikistan dhe Uzbekistan marrin antibiotikë pa recetë.
Në disa vende, më shumë se 40 për qind e antibiotikëve janë marrë pa mendimin e mjekut, që është pesë herë më e lartë se mesatarja e BE-së nga një studim i kryer në vitin 2022.
Sipas OBSh-së, një tjetër rrezik që vjen nga rezistenca ndaj antibiotikëve është rritja e pabarazive, sepse personat me standarde më të ulëta arsimore dhe jetese janë ata që i zbatojnë më shumë këto praktika, gjë që “tregon qartë nevojën për edukim dhe ndërgjegjësim”.