Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) njoftoi se 1 në 17 persona në botë ka përdorur drogë në vitin 2021 dhe se përdorimi i drogës është rritur me 23 për qind në 10 vitet e fundit.
"Raporti Botëror i Drogës 2023" u nda me publikun nga Zyra Ndërkombëtare e OKB-së për Drogën dhe Krimin (UNODC).
Në raport thuhet se përdorimi i drogës është rritur me 23 për qind në 10 vitet e fundit dhe në vitin 2021, një në 17 persona të moshës 15-64 vjeç ka përdorur drogë.
Më tej, theksohet se 296 milionë njerëz kanë përdorur drogë globalisht në vitin 2021. Ky numër ka qenë 284 milionë në vitin 2020 dhe se shkalla e përdorimit të drogës është rritur me 18 për qind në një vit.
Vlerësimet për personat që injektojnë drogë janë më të larta se në vitet e mëparshme, pasi shërbimet e trajtimit dhe ndërhyrjet e tjera mbeten të papërshtatshme, përfshirë "numrat rekord të njerëzve të zhvendosur" nga krizat humanitare.
Kanabisi, më i përdorur
Në raport, i cili ndau informacionin se kanabisi është droga më e përdorur në nivel global, u raportua se 219 milionë njerëz e përdorën këtë substancë në vitin 2021, që përkon me 4 për qind të popullsisë së botës.
Afërsisht 60 milionë njerëz përdornin droga sintetike të quajtura "opioidë", 36 milionë njerëz përdornin substanca të llojit amfetamine, 22 milionë njerëz përdornin kokainë dhe 20 milionë njerëz përdornin ekstazi.
Duke theksuar se ka patur rritje të ndjeshme të numrit të njerëzve që vuajnë nga sëmundjet për shkak të përdorimit të drogës dhe që kërkojnë trajtim, në raport thuhet se shkalla e njerëzve që përjetojnë probleme shëndetësore që lidhen me përdorimin e drogës është rritur me 45 për qind në 10 vitet e fundit. Numri i njerëzve në këtë situatë është rritur në 39,5 milionë. Një në 5 persona që kanë sëmundje të ndryshme për shkak të abuzimit me substancat mund të gjejnë trajtim dhe se mundësitë e terapisë dhe trajtimit janë të kufizuara më tej në këtë periudhë për shkak të COVID-19.
Njerëzit që injektojnë ose përdorin drogë kanë 35 herë më shumë gjasa të infektohen me HIV sesa popullata e përgjithshme.
Në raport theksohet se kishte rritje të dukshme të numrit të personave që humbën jetën si pasojë e përdorimit të drogës dhe se numri i personave që humbën jetën për shkak të varësisë ndaj substancave u rrit me 17.5 për qind në periudhën 2009-2019.
Rreth 500 mijë njerëz humbën jetën për shkak të drogës në vitin 2019 dhe sëmundjet e mëlçisë të shkaktuara nga hepatiti C janë një nga shkaqet kryesore të vdekjeve të lidhura me drogën, duke përbërë më shumë se gjysmën e numrit total të vdekjeve që i atribuohen përdorimit të drogës.
13,5 milionë të rinj kanë përdorur kanabis në vitin 2021
Në raport theksohet se 5,3 për qind (13,5 milionë të rinj) nga mosha 15 deri në 16 vjeç kanë përdorur kanabis në vitin 2021, duke theksuar se përdorimi i drogës i nisur në moshë të hershme përshpejton varësinë në krahasim me të rriturit dhe shkakton probleme serioze në jetën e mëvonshme.
Prodhimi dhe trafiku i drogës
Në raport, i cili theksoi se ka rritje të konsiderueshme si në ofertë ashtu edhe në kërkesën për kokainë në botë, kjo situatë ndoshta do të inkurajojë zhvillimin e tregjeve të reja përtej kufijve tradicionalë. Pema e kokainës, nga e cila përftohet kokaina, ishte mbjellë në një sipërfaqe prej 315,5 hektarësh dhe një nivel rekord i prodhimit të kokainës prej 2.304 tonësh është shënuar në vitin 2021.
Tregu global i kokainës vazhdon të jetë i përqendruar në Evropën Perëndimore dhe Qendrore si dhe në ShBA, por vërehet se po përhapet me shpejtësi në vendet në zhvillim të Afrikës, Azisë dhe Evropës Juglindore.
Pjesa më e madhe e prodhimit të paligjshëm global të opiumit vazhdon të bëhet në një numër të kufizuar vendesh, veçanërisht në Afganistan. Rreth 80 për qind e prodhimit global prej 7.800 tonësh në vitin 2022, pra 6.200 tonë është prodhuar në Afganistan, Mianmari me 795 tonë dhe Meksika me 504 tonë.
Sipas raportit, 95 për qind e prodhimit të opiumit në botë bëhet në Afganistan, Mianmar dhe Meksikë, ndërsa pema e kokainës mbillet në Kolumbi, Peru dhe Bolivi.