OKB-ja: Fushata gjenocidale e Izraelit është zhvendosur në Bregun Perëndimor /           Foto: AA

Raportuesja speciale e OKB-së për Palestinën, Francesca Albanese tha se gjatë armëpushimit që vazhdon në Gaza, Izraeli e ka zhvendosur fushatën e tij gjenocidale në Bregun Perëndimor të pushtuar.

"Fushata gjenocidale e Izraelit është zhvendosur në Bregun Perëndimor gjatë armëpushimit në Gaza dhe në mes të heshtjes së komunitetit ndërkombëtar", theksoi Albanese përmes një postimi në X në lidhje me sulmet e ushtrisë izraelite në Bregun Perëndimor.

Pas hyrjes në fuqi të armëpushimit në Gaza të dielën më 19 janar, ushtria izraelite nisi të martën e 21 janarit një sulm në qytetin Jenin në pjesën veriore të Bregut Perëndimor të pushtuar, të cilin e quajti "Muri i Hekurt".

Ndërsa të hënën, më 27 janar, Izraeli i zhvendosi në Tulkarem sulmet e tij të dhunshme të cilat i vazhdonte në Jenin.

Në sulmet e saj që kryen në Bregun Perëndimor, ushtria izraelite po dëmton transportin, ujin, energjinë elektrike dhe infrastrukturën e komunikimit dhe po shkatërron shtëpitë në rajon.

Pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes së armëpushimit dhe shkëmbimit të pengjeve në Gaza më 19 janar, ushtria izraelite ka rritur ashpërsinë e sulmeve të saj në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Ushtria izraelite krahas bastisjeve, sulmeve ajrore, hedhjes në erë të vendbanimeve civile, shkatërrimit të infrastrukturës me makineri ushtarake dhe detyrimit të palestinezëve të migrojnë, po dëmton jetën dhe pronën e palestinezëve përmes akteve të ndryshme.

AA