Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, është thellësisht i shqetësuar për dhunën e vazhdueshme dhe humbjen e jetëve në territoret e pushtuara palestineze.
Zëvendëszëdhënësi i OKB-së, Farhan Haq, bëri një deklaratë me shkrim për këtë çështje.
Në deklaratë thuhet se Guterres dënoi të gjitha aktet e dhunës dhe terrorizmit kundër civilëve, duke përfshirë vrasjen e 4 izraelitëve dhe djegien e shtëpive, shkollave dhe automjeteve nga kolonët në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Ulja e tensioneve është jetike
Në deklaratë, ku thuhet se Sekretari i Përgjithshëm është thellësisht i shqetësuar për ngjarjet në të cilat shtatë palestinezë, përfshirë dy fëmijë, humbën jetën si rezultat i sulmit të ushtrisë izraelite në Jenin më 19 qershor: "Është jetike të ulen tensionet dhe parandalimi i përshkallëzimit të tij”.
"Izraeli, fuqia pushtuese, duhet të sigurojë mbrojtjen e popullatës civile kundër të gjitha formave të dhunës dhe t'i mbajë kriminelët përgjegjës", thuhet në deklaratë.
Duke u theksuar se Izraeli duhet të përmbushë detyrimet e tij sipas ligjit ndërkombëtar humanitar, thuhet se kjo përfshin përdorimin proporcional të forcës dhe marrjen e masave për mbrojtjen e civilëve në operacionet ushtarake.
“Guterres është thellësisht i shqetësuar për dhunën e vazhdueshme dhe humbjen e jetëve në territoret e pushtuara palestineze”, thuhet në deklaratë.
Tensionet në rajon
Ushtria izraelite ka shtuar bastisjet dhe sulmet e saj në Bregun Perëndimor të pushtuar ditët e fundit dhe ka shkaktuar vdekjen e shumë palestinezëve, duke përshkallëzuar tensionet në rajon.
Ushtria izraelite ka kryer të hënën një sulm në qytetin Jenin në veri të Bregut Perëndimor, duke përdorur helikopterë të tipit “Apache” si dhe shumë automjete të blinduara. Në sulm humbën jetën 7 palestinezë, mes të cilëve 2 fëmijë dhe të paktën 66 palestinezë u plagosën. Në përleshje u plagosën edhe 7 ushtarë izraelitë.
Pas sulmit të përgjakshëm në Jenin, një sulm i armatosur ndodhi pranë një pike karburanti në Eli, një vendbanim ilegal hebre në Bregun Perëndimor dhe dje u vranë 4 kolonë izraelitë.
Rreth 700 mijë kolonë hebrenj jetojnë në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor. Vendbanimet hebraike në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor konsiderohen të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.
Me sulmet e përgjakshme të Izraelit në Bregun Perëndimor dhe sulmet ajrore në Rripin e rrethuar të Gazës, numri i palestinezëve të vrarë që nga fillimi i vitit është rritur në 175.